11 Mars 2011

Mbi raportimin në Komisionin e Ekonomisë së Kuvendit të Shqipërisë, të Kryetares së AMF-së, Zj. Elisabeta Gjoni, për veprimtarinë e institucionit gjatë vitit 2010

Më datë 11 mars 2011, Kryetarja e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Zj. Elisabeta Gjoni, raportoi pranë Komisionit të Ekonomisë, në Kuvendin e Shqipërisë, mbi aktivitetin e institucionit dhe zhvillimet e tregjeve financiare jo-bankare, gjatë vitit 2010.   

Në fjalën e saj, Zj. Gjoni bëri një përmbledhje të veprimtarisë së institucionit, arritjeve dhe sfidave me të cilat AMF përballet në drejtim të rregullimit dhe mbikëqyrjes së sektorit financiar jo-bankar në Shqipëri. 

Midis të tjerave, Zj. Gjoni vuri theksin tek zhvillimet e rëndësishme në tregun e sigurimeve, si treg me peshën kryesore në tregun financiar jo-bankar në Shqipëri. Viti 2010 u fokusua në drejtim të forcimit të mbikëqyrjes së tregut të sigurimeve, në vijim të një pune tre-vjeçare për një mbikëqyrje më efektive, ku konkretisht arritjet janë si më poshtë:
-    Prezantimi i manualit të mbikëqyrjes me fokus-riskun;
-    Hartimi i projektligjit të ri në fushën e sigurimeve, i cili do të mbështesë modelin e ri të mbikëqyrjes me fokus riskun dhe do të bëjë të mundur harmonizimin e legjislacionit të fushës me direktivat e BE-së dhe praktikat më të mira në mbikëqyrjen e tregut të sigurimeve;
-    Vënia në zbatim e Sistemit të Menaxhimit të informacionit, i cili përbëhet nga një platformë raportimi web.

Më tej, Zj. Gjoni prezantoi zhvillimet e këtij tregu gjatë vitit 2010, ku midis të tjerave veçoi faktin që tregu i sigurimeve ka ruajtur rritje pozitive: 4% më shumë se në vitin 2009, ritëm ky më i lartë, krahasuar me atë botëror, evropian apo dhe me disa vende në rajon. Viti 2010 vazhdoi tendencën e përmirësimit të strukturës së tregut në favor të sigurimeve vullnetare, si dhe të një dinamike të lartë të tyre.

Gjithashtu, gjatë fjalës së saj, Zj. Gjoni përmendi që AMF i ka kushtuar vëmendje dhe energji të veçantë rritjes së kapaciteteve institucionale, nëpërmjet forcimit të kapaciteteve të burimeve njerëzore, modernizimit të infrastrukturës teknike, kërkuese, etj.

Në raportim u paraqit edhe roli aktiv i AMF-së në drejtim të mbrojtjes së interesave të konsumatorëve, si dhe masat e marra në kuadër të mbikëqyrjes së tregjeve nën juridiksionin e AMF-së.

Në përfundim, Zj. Gjoni bëri një paraqitje të objektivave afat-mesme të institucionit, sfidave me të cilat përballet institucioni në funksion të realizimit të këtyre objektivave dhe më pas iu përgjigj pyetjeve të anëtarëve të komisionit që kishin të bënin me forcimin e kuadrit ligjor në fushën e sigurimeve, politikat e investimit të fondeve të pensionit, instrumentat e disponueshëm nga AMF në kuadër të mbrojtjes së konsumatorit, etj.

Raporti i plotë i veprimtarisë, iu vu në dispozicion anëtarëve të Komisionit, të cilët vlerësuan pozitivisht punën e institucionit dhe arritjeve konkrete që nga krijimi i tij.



Për të lexuar tekstin e plotë të fjalës së mbajtur nga Kryetarja e AMF, Zj. Gjoni, përpara Komisionit të Ekonomisë së Kuvendit të Shqipërisë,  klikoni këtu