30 Mars 2011

Mbi licencimin e “Shoqërisë administruese të fondeve të pensionit Sigal – Life UNIQA Group AUSTRIA” sh.a.

Në mbledhjen e datës 30 mars 2011, Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, miratoi dhënien e licencës “Shoqërisë administruese të fondeve të pensionit Sigal – Life UNIQA Group AUSTRIA” sh.a. për të vepruar si shoqëri e administrimit të fondeve të pensionit vullnetar, për mbledhjen dhe investimin e fondeve të pensioneve, si dhe kryerjen e pagesave të pensionit, në përputhje me Ligjin nr. 10197, datë 10.12.2009 “Për fondet e pensionit vullnetar”. 

Shoqëria administruese e fondeve të pensionit “Sigal – Life UNIQA Group AUSTRIA” përfaqëson shoqërinë e dytë, të licencuar nga Bordi i AMF-së për administrim të fondeve të pensionit vullnetar. Gjykuar nga veçoritë që paraqet administrimi i fondeve të pensioneve vullnetare, Bordi  i kushtoi një rëndësi të madhe profesionalizmit të stafit drejtues të shoqërisë administruese dhe veçanërisht kontributit që do japin në ecurinë e shoqërisë përfaqësuesit e UNIQA Group AUSTRIA.

Rritja e numrit të operatorëve në tregun e pensioneve vullnetare, do të luajë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e këtij tregu dhe do të rrisin më tej besueshmërinë e publikut në investimin e fondeve në skemën e pensioneve vullnetare.