31 Mars 2011

Mbi nënshkrimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit dhe Shkëmbimit të Informacionit, midis AMF, Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit

Më datë 31 mars 2011, në ambientet e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, gjatë ceremonisë së inaugurimit të godinës së re, u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit dhe Shkëmbimit të Informacionit,  për Sigurimin e Detyrueshëm në Sektorin e Transportit, midis Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare,

Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit.
Nënshkrimi i marrëveshjes, firmosur nga Zj. Elisabeta Gjoni Kryetare e AMF-së, Z. Sokol Olldashi Ministër i Punëve Publike dhe Transportit dhe Z. Avenir Peka, Zv/Ministër i Brendshëm, synon sigurimin e ndihmës reciproke në drejtim të lehtësimit të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit midis Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe autoriteteve përgjegjëse për monitorimin e trafikut rrugor e kalimit kufitar, si dhe administrimin e shërbimeve të transportit rrugor. Qëllimi i kësaj Marrëveshje është bashkëpunimi dhe shkëmbimi i informacionit ndërmjet institucioneve zbatuese.

Në fjalën e saj, Zj. Elisabeta Gjoni, Kryetare e AMF-së, vlerësoi rëndësinë e nënshkrimit të kësaj marrëveshje për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit. Kryeministri i vendit Prof. Dr. Sali Berisha, i pranishëm në këtë ceremoni, vlerësoi punën e vazhdueshme të tre institucioneve në arritjen e kësaj marrëveshje. 

Marrëveshja do të  mundësojë kontrollin e zbatimit të legjislacionit për sigurimin e detyrueshëm, evidentimin e saktë dhe pajisjen e mjeteve motorike që lëvizin në territorin e Republikës së Shqipërisë me kontrata sigurimi të vlefshme, zvogëlimin e numrit të mjeteve të transportit të pasiguruara, kontrollet e përbashkëta dhe mbikëqyrjen e vazhdueshme të qarkullimit të mjeteve motorike.             

Në ceremoni ishin të pranishëm edhe drejtues të shoqërive të sigurimit.

më tepër informacion në lidhje me evenimentin, kontaktoni në [email protected]