30 Mars 2011

Mbi publikimin më të ri të AMF-së, Tregu i Sigurimeve Raport Statistikor ’99-‘09

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, ka kënaqësinë të vërë në dijeni publikun, mbi publikimin më të ri, Tregu i Sigurimeve Raport Statistikor ’99-‘09

Ky publikim realizohet për herë të parë nga institucioni dhe në thelb ka informacionin statistikor-financiar të detajuar dhe tepër të strukturuar përgjatë periudhës 1999-2009. Mungesa e një baze të dhënash të mirëfilltë dhe e grupimit të strukturuar të informacionit për tregun e sigurimeve kanë qenë faktorët kryesorë të hartimit të këtij edicioni të veçantë, i cili u bë i mundur pas një pune tepër të gjatë e intensive nga stafi i Drejtorisë së Kërkimit dhe Statistikës.

Përveç të dhënave makro dhe informacionit statistikor-financiar për tregun e Jetës dhe të Jo-Jetës, një vend të rëndësishëm zënë dhe të dhënat e  portofoleve me peshë më të rëndësishme, me qëllim analizimin e tendencave në vite. Në publikim janë paraqitur të dhëna të detajuara në lidhje me primet e shkruara bruto, dëmet e paguara bruto, portofolin e investimeve, kapitalin e nënshkruar, provigjonet teknike etj, të ndara edhe sipas llojit të sigurimeve Jetë dhe Jo-Jetë si dhe për tregun në total.

Ky publikim i adresohet një numri të konsiderueshëm përdoruesish, duke filluar që nga operatorët e tregut, investitorët e huaj, analistët e ndryshëm dhe për qëllime akademike.
Shpresojmë, që ky publikim të përmbushë nevojat e publikut të gjerë për informacion dhe t’i shërbejë forcimit të mëtejshëm të transparencës në kuadrin e mbikëqyrjes së tregut të sigurimeve.

Për të lexuar tekstin e plotë të publikimit, Tregu i Sigurimeve Raport Statistikor ’99-‘09, klikoni këtu