31 Mars 2011

AMF inauguron ndërtesën e re

Më datë 31 mars 2011, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare organizoi ceremoninë e inaugurimit të godinës së re të institucionit, pas një sërë zhvillimesh pozitive dhe një pune të suksesshme që nga krijimi i tij në tetor të vitit 2006.

Në takimin e ndjekur nga  përfaqësues të institucioneve të ndryshme, mori pjesë Kryeministri i vendit, Prof. Dr. Sali Berisha, Ministri i Financave Z. Ridvan Bode, Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Z. Sokol Olldashi dhe personalitete të tjera në vend.

Në fjalën e hapjes, Kryetarja e AMF-së, Zj. Elisabeta Gjoni, vlerësoi mbështetjen e Kryeministrit dhe rolin e Qeverisë në krijimin e AMF-së dhe theksoi se godina e re konturon ngritjen e një institucioni të ri, i cili në sajë të një axhende tepër të ngjeshur katër vjeçare, vjen pas rishikimit dhe përmirësimit të kuadrit ligjor që rregullon tregjet financiare jo-bankare, me miratimin e 6 (gjashtë) ligjeve të rëndësishme, me një treg sigurimesh që reflekton qëndrueshmëri me futjen e kapitalit të huaj, me një metodologji të mbikëqyrjes me fokus riskun dhe me licencimin e shoqërisë së parë administruese të fondeve të pensionit vullnetar.

Në fjalën e tij Kryeministri i vendit, Prof. Dr. Sali Berisha  vlerësoi punën e bërë nga AMF gjatë këtyre viteve dhe përgëzoi Kryetaren e AMF-së së bashku me stafin për përballimin me sukses të sfidave që karakterizojnë ngritjen e një institucioni të qëndrueshëm e të konsoliduar për të mbikëqyrur tregun financiar jo-bankar. Gjithashtu Kryeministri vlerësoi progresin dhe zhvillimet pozitive në këto tregje vitet e fundit në drejtim të lirisë dhe hapësirave që janë krijuar për investimet e huaja.

Vetë Kryeministri i Vendit, Prof. Dr. Sali Berisha preu shiritin e inaugurimit në shenjë simbolike të përkrahjes dhe mbështetjes së vazhdueshme që Qeveria i ka dhënë AMF-së në forcimin e rolit si rregullator i integruar i tregjeve financiare jo-bankare.

Godina e re, përmbush të gjitha kriteret për t’u cilësuar si një godinë me infrastrukturë moderne, e cila garanton vazhdimësi të axhendës ambicioze të institucionit. Godina përmban 3 kate, në të cilat janë pozicionuar 23 zyra ku punon një staf prej 48 punonjësish, një sistem modern Audio-Video Konference, nga një sallë takimesh në çdo kat, e dizenjuar nga arkitektë të njohur dhe e pasuruar me vepra të artistëve si S. Spahija, P. Kolnikaj, R. Tasho, etj. Ajo që është më e rëndësishme, godina e re garanton instalimin e veprave ambicioze të institucionit në drejtim të Teknologjisë së Informacionit si Qendra Kombëtare e të Dhënave të Sigurimit të Detyrueshëm Motorik dhe Platforma elektronike e raportimit të subjekteve në AMF.

Dinamika dhe ritmi i lartë i punës së institucionit bëjnë që fotografimi i një panorame të përgjithshme të arritjeve është i pamundur. Në çdo ditë, javë, muaj, në mënyrë të vazhdueshme kësaj liste i shtohet një ngjarje e re. Vetëm sot, jepet lajmi i dhënies së licencës shoqërisë së dytë administruese të fondeve pensionit vullnetar, Sigal-Life Uniqa Group Austria, prezantohet publikimi më i ri i AMF “Sigurime – 10 vjet statistika si dhe u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit  për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit  me  Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit. 

Për të lexuar tekstin e plotë të fjalës së mbajtur nga Prof. Dr. Sali Berisha, klikoni këtu

Për më tepër informacion në lidhje me evenimentin, kontaktoni në [email protected].