Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për periudhën Janar - Shkurt 2008
Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për periudhën Janar - Shkurt 2008
Në periudhën Janar - Shkurt 2008 numri i kontratave te sigurimit të lidhura arriti në 82,020 duke shënuar një rritje prej rreth 23.89% në krahasim me të njejtën periudhë të vitit 2007. Rritja e numrit të kontratave në 2008 u shoqërua me rritjen e vëllimit të të ardhurave nga primet. Primet e shkruara bruto të sigurimeve arritën në rreth 957 milionë lekë, shifër kjo 19.71% më e lartë se ajo e të njejtës periudhë të vitit 2007. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës që sollën rreth 94% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 6%.
Sigurimi i Detyrueshëm
Gjatë kësaj periudhe të vitit 2008 sigurimi i detyrueshëm vazhdoi të dominojë në tregun Shqiptar, duke sjellë rreth 65% të të ardhurave nga primet e shkruara bruto të sigurimeve.
- Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit të TPL-së së brendshme në këtë periudhë të vitit 2008 ishin rreth 455 milionë lekë. Rritja e të ardhurave me 17.26% krahasuar me të njejtën periudhë të vitit 2007 lidhet me rritjen me rreth 21% të numrit të kontratave. Rritja e numrit të kontratave shpjegon hyrjen e makinave të reja në Shqipëri.
- Në periudhën Janar - Shkurt 2008, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të Kartonit Jeshil arritën rreth 147 milionë lekë, ose 14.60% më shumë se në të njejtën periudhë të vitit 2007 ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 8.9% krahasuar me të njejtën periudhë.
- Sigurimi kufitar shënoi ulje në grupin e sigurimeve të detyrueshme me rreth 38.05% në krahasim me Janar - Shkurtin 2007. Në të njejtën kohë ulje shënoi dhe numri i kontrave të sigurimit kufitar në masën 22.09%. Gjatë kesaj periudhe, primet e shkruara bruto nga sigurimi kufitar arritën në rreth 23 milionë lekë.
Sigurimi Vullnetar
Në Janar - Shkurt 2008, vëllimi i primeve të shkruara bruto në sigurimin vullnetar arriti shifrën 332 milionë lekë me një rritje prej 35.01% kundrejt të njejtës periudhë të një viti më parë dhe rreth 46.05% rritje të numrit të kontratave.
Të ardhurat nga produktet vullnetare të sigurimit të Jo-Jetës u rritën me rreth 35.48% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007.
Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive me të ardhura rreth 171 milionë lekë në total, vendin e parë e zunë sigurimet nga zjarri dhe rreziqet natyrore me rreth 51%, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 24% dhe sigurimi i garancisë me 9%.
Në nivele në rritje për këtë periudhë ishin sigurimet e përgjegjësisë, duke zënë 19% të sigurimeve të pronës, përgjësive dhe garancive, duke filluar të plotësojnë rëndësinë e këtij portofoli në stadin aktual të zhvillimit të vendit. Veprimtaria e operatorëve në tregun e karburanteve, ndërtimeve, hotelerisë & turizmit, etj. në më të shumtën e rasteve është e pasiguruar ndaj dëmtimeve që mund të shkaktojë ndaj të tretëve. E pambuluar në sigurim rezulton të mbetet edhe përgjegjësia profesionale në fusha të ndryshme. Sigurimet inxhinierike mbeten në nivele të ulta megjithë zhvillimin e tregut të ndërtimit në Shqipëri.
Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve personale dhe shëndetit në 2 mujorin e parë të vitit 2008 arritën në rreth 31 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 24.42% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Peshën më të madhe e mbajtën sigurimet e shëndetit në udhëtim me rreth 86% të të ardhurave të këtij grupi. Rritja e madhe e të ardhurave në sigurimin e shëndetit në udhëtim lidhet më numrin në rritje të vazhdueshme të personave që udhëtojnë jashtë vendit.
Vëllimi i primeve të sigurimit të Jetës ishte rreth 56 milionë lekë me një rritje prej 32.70% krahasuar me Janar- Shkurtin 2007.
Peshën më të madhe prej rreth 84% në te ardhurat e sigurimit të Jetës e zë produkti "Jetë Debitori". Ky produkt i sigurimit është kërkesë e Bankave të nivelit të dytë për ofrimin e kredive individëve dhe personave juridikë.
Dëmet e paguara bruto
Totali i dëmeve të paguara bruto nga shoqëritë e sigurimeve në Janar - Shkurt 2008 ishte rreth 212 milionë lekë, ose 19.68% më pak se në Janar - Shkurtin e vitit 2007. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto u përket sigurimeve motorrike me 171 milionë lekë, apo 80.19% të totalit. Kjo ulje në dëmet e paguara bruto ndihet në potofolin "Kartoni Jeshil" ku kemi një ulje të dëmeve të paguara bruto nga shoqëritë e sigurimit me rreth 50% dhe ulje të numrit të dëmeve të paguara me rreth 27% krahasuar me 2 mujorin e pare të vitit 2007.
Duke i hedhur një vështrim dëmit mesatar në produktet e sigurimit motorrik, meqënëse ky lloj sigurimi ka dhe peshën më të madhe në pagesën e dëmeve, të bie në sy një rritje e vlerës së dëmit mesatar për MTPL e brendshme dhe Kasko, paraqitur në tabelën e mëposhtme:
në mijë lekë
Lloji i sigurimit | Viti | |
2007 | 2008 | |
Dëmi mesatar | ||
MTPL e brendshme | 76 | 84 |
Karton Jeshil | 1,095 | 694 |
Kasko | 62 | 89 |
Për çdo të interesuar, raporti Mujor Statistikor Janar - Shkurt 2008 përmban informacion më të detajuar në lidhje me tregun e sigurimeve. Tekstin e plotë të Raportit Statistikor Janar - Shkurt 2008 në versionin PDF dhe EXCEL mund ta gjeni tek rubrika Statistika & Publikime.