18 Prill 2011

Zhvillohet takimi rajonal i rregullatorëve të tregjeve të sigurimeve të vendeve të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore

Autoriteti Austriak i Tregut Financiar (FMA) në bashkëpunim me  Autoritetin Hungarez të Mbikëqyrjes Financiare (HFSA), si iniciatorë të Iniciativës së Mbikëqyrjes së Sigurimeve, zhvilluan në datat 12-13 prill në Vjenë, Austri, takimin rajonal me Mbikëqyrësit e Sigurimeve të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore. Ky takim ishte i pari në kuadër të iniciativës për rritjen e bashkëpunimit dhe bashkëveprimit mes mbikëqyrësve të CESEE [Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore] duke u fokusuar në tema që lidhen, në mënyrë të veçantë, me rajonin. Iniciativa gjeti përkrahje nga shumica e vendeve të CESEE, duke përzgjedhur si tema aktuale për diskutim, si më poshtë:

-    Solvency II – Implementimi i kolonës së dytë
-    Kolegjet Mbikëqyrëse
-    Mbrojtja e konsumatorit dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve
-    Sigurimi i detyrueshëm motorik

Objektivat kryesore të kësaj iniciative janë:

-    promovimi dhe mbajtja e marrëdhënie të ngushta të bashkëpunimit dhe bashkëveprimit mes mbikëqyrësve të
     sigurimeve te Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore;
-    ngritja e forumeve për diskutime mbi tregun e sigurimeve dhe problemeve të mbikëqyrjes;
-    mundësitë për shkëmbime të teknikave të mbikëqyrjes, përvojave, informacioneve dhe ekspertizës;
-    ndihma në zbatimin e ligjeve dhe direktivave, si dhe;
-    shkëmbimi i pikëpamjeve dhe përvojave në lidhje me zbatimin e Solvency II.


AMF, në këtë takim të nivelit të lartë, u përfaqësua nga Kryetarja, Zj. Elisabeta Gjoni, e cila moderoi panelin e Sigurimit të Detyrueshëm Motorik. Takimi rezultoi i suksesshëm, me diskutime dhe shkëmbime eksperiencash të vlefshme midis rregullatorëve të pranishëm, duke i hapur rrugën një bashkëpunimi efektiv në të ardhmen e duke krijuar kështu një forum, ku rregullatorët e CESEE mund të diskutojnë mbi çështjet dhe problematikat e përbashkëta që hasen në rregullimin e tregut të sigurimeve në këto vende.

Për më tepër informacion në lidhje me këtë eveniment kontaktoni [email protected]