26 Maj 2011

Zhvillohet ceremonia e dhënies së diplomave aktuarëve profesionistë

Në datën 25 maj 2011, në ambientet e hotel “Rogner Europapark”, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në bashkëpunim me FSVC dhe USAID, zhvilluan ceremoninë e dhënies së diplomave katërmbëdhjetë aktuarëve profesionistë.

Në fjalën e saj, Zj. Elisabeta Gjoni, Kryetare e AMF-së, vlerësoi rëndësinë e klasave të profesionistëve të vërtetë, mbështetur në parime, kode të profesionit, njohuri bashkëkohore dhe përvojë në sektorin financiar, të cilat janë reflektuar më së miri në mbështetjen që AMF ka dhënë në vazhdimin drejt rrugës se nisur të formimit të profesionit të aktuarit në Shqipëri.

Z. Joseph Williams, Shefi i misionit të USAID në Shqipëri; Zj. Leah McFarland, Drejtoreshë e FSVC-së dhe Z. Neil Hillary, Staff Actuary pranë Institutit Britanik të Aktuarëve, vunë theksin në rëndësinë e bashkëpunimit mes këtyre institucioneve dhe Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, bashkëpunim pa të cilin programi nuk do të ish zhvilluar dot, si dhe përgëzuan aktuarët e rinj për përkushtimin me të cilin përballuan vështirësinë e kursit profesional.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare shprehu gatishmërinë dhe vullnetin për të rritur dhe zhvilluar këtë profesion në nivele më të larta, bazuar në parimet, normat e përcaktuara nga Shoqata Ndërkombëtare e Aktuarëve. Në vijim të këtij procesi, AMF inkurajon dhe mbështet aktivitetin e shoqatës profesionale të aktuarëve. Kjo shoqatë duhet jetë me aktive dhe të ketë synime dhe objektiva të qarta për krijimin e një ambienti të favorshëm për zhvillimin e profesionit të Aktuarit në Shqipëri, për promovimin e prestigjit të tij, zhvillimin dhe zbatimin e standardeve të unifikuara profesionale dhe anëtarësimin në organizatat profesionale ndërkombëtare.

AMF do të mbështetet në opinionet, rekomandimet dhe shërbimet e dhëna nga profesionistët e rinj në rregullimin dhe mbikëqyrjen e tregjeve financiare në Shqipëri me parimet bashkëkohore dhe do të mbështesë ata në kryerjen e të gjitha angazhimeve që i shërbejnë zhvillimit të sektorit financiar në Shqipëri, rritjes së efektivitetit të biznesit dhe mbrojtjes së interesave të konsumatorëve.

Presidenti i parë i Shoqatës së Aktuarëve Shqiptarë, prof. Llukan Puka, falënderoi gjithë institucionet e përfshira për mbështetjen e treguar në zhvillimin e profesionit, kursantët për përkushtimin dhe punën e kryer, si dhe shprehu besimin tek e ardhmja e profesionit të aktuarit në Shqipëri e rëndësinë që zgjerimi i këtij profesioni ka për mbarë tregun financiar kombëtar. 

Në përfundim u shpërndanë diplomat katërmbëdhjetë aktuarëve profesionistë.


Për të lexuar fjalën përshëndetëse të Kryetares së AMF-së, Zj. Elisabeta Gjoni, klikoni këtu

Për të lexuar materialin e plotë të USAID, klikoni këtu

Për më tepër informacion, kontaktoni në [email protected]