24 Qershor 2011

Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për periudhën janar-maj 2011

Të ardhurat nga primet e sigurimit, në periudhën janar-maj 2011, arritën rreth 3,603 milionë lekë, ose 8.79% më shumë se në të njëjtën periudhë të  vitit të kaluar. Gjatë periudhës janar-maj 2011 numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 512,876 duke dyfishuar numrin e kontratave krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës që sollën rreth 87.80% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 11.93% dhe veprimtarinë e risigurimit me 0.27%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 56.57% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 43.43% të totalit të tregut

Sigurimi i Detyrueshëm

Primet në sigurimet e detyrueshme motorike arritën shifrën 1,565 milionë lekë, ose rreth 4.23% më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Produkti MTPL e brendshme  gjatë periudhës janar-maj  të vitit 2011 pati një ulje prej 23.28% për primet e shkruara bruto, ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 0.79% krahasuar me periudhën janar-maj  të vitit  2010.

Produkti Sigurim Kufitar në periudhën janar-maj  2011 pati një ulje prej 1.45% për primet e shkruara bruto shoqëruar dhe me uljen e numrit të kontratave prej 11.21% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Produkti Karton Jeshil në periudhën janar-maj  2011 pati një rritje prej 62.60% për primet e shkruara bruto, shoqëruar dhe me rritjen e numrit të kontratave prej 41.37% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sigurimi Vullnetar

Primet e sigurimit vullnetar, në periudhën janar-maj të vitit 2011, arritën rreth 2,038 milionë lekë, ose 21.46% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë por dhe me një katërfishim të numrit të kontratave të sigurimit krahasuar me  janar-majin  e vitit 2010.

Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës gjatë periudhës janar-maj  2011  patën rritje me rreth 16.79%  kundrejt janar- majit të vitit 2010.

Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive me të ardhura rreth 929 milionë lekë në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe rreziqet shtesë, me rreth 45.04%, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me rreth 21.94%

Në portofolin Zjarri dhe rreziqet shtesë gjatë periudhës janar-maj  të vitit 2011 ndihet një rritje prej 18.23% e numrit të kontratave të sigurimit dhe rritje me rreth 13.82% të volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli, krahasuar me janar- majin e vitit 2010.

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve personale dhe shëndetit gjatë periudhës janar-maj 2011 arritën në rreth 420 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 141.98% në krahasim me janar-majin e vitit 2010. Peshën më të madhe e mbajtën sigurimet e shëndetit me rreth 89.20% të të ardhurave të këtij grupi.

Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar-maj  2011 arritën 430 milionë lekë, ose rreth 42.83% më shumë se janar - maji  i vitit të kaluar.

 

Dëmet e Paguara Bruto

Pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar-maj 2011 u rritën me rreth 9.17% krahasuar me janar-majin e vitit 2010. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto u përket sigurimeve motorike me 709 milionë lekë, apo 78.44% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Dëmi mesatar për produktet e sigurimit motorik, është paraqitur në tabelën e mëposhtme:

në mijë lekë

Lloji i sigurimit

janar-maj

2010

2011

                                                                                     Dëmi mesatar

MTPL e brendshme

106

158

Karton Jeshil

1,103

488

Kasko

95

85

Për çdo të interesuar, Buletini Statistikor  për periudhën janar-maj  2011, përmban pasqyra të detajuara të ndarjes së Tregut të Sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit ne treg, etj.

Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën janar - maj 2011 (në versionin EXCEL) klikoni këtu

Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën janar - maj 2011 (në versionin PDF) klikoni këtu