28 Janar 2025

Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e AMF, takim me misionin e Bankës Botërore për Programin e Zhvillimit dhe Qëndrueshmërisë Financiare

Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, zj. Mimoza Kaçi zhvilloi një takim me ekipin e misionit të Bankës Botërore për Programin e Zhvillimit dhe Qëndrueshmërisë Financiare, të drejtuar nga znj. Rekha Reddy, në rolin e saj të ri si menaxhere e programit.   

Në takim u diskutua mbi ecurinë e aktiviteteve në zbatim të programit të Asistencës Teknike, zhvillimet në tregjet nën mbikëqyrjen e Autoritetit, nismat për financat e gjelbra, si edhe bashkëpunimi në kuadër të programit për sigurimet në bujqësi.  

Zj. Kaçi e njohu ekipin e Bankës Botërore me zhvillimet kryesore të tregjeve nën mbikëqyrjen e Autoritetit, si edhe avancimet në drejtim të përafrimit të mëtejshëm me kuadrin ligjor dhe direktivat evropiane, si edhe standardet më të mira mbikëqyrëse. Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive i falënderoi përfaqësuesit e Bankës Botërore për mbështetjen e vazhdueshme, si edhe vuri në dukje disa nga drejtimet kryesore për vijimin e bashkëpunimit.

Ekipi i Bankës Botërore vlerësoi avancimet në drejtim të harmonizimit të legjislacionit me kuadrin ligjor evropian dhe implementimin e praktikave më të mira në mbikëqyrje, ndërsa shprehu gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin me Autoritetin.