6 Shkurt 2025

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit organizon Konferencën Ndërkombëtare “Reformimi i sistemit të pensioneve në Shqipëri”

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) dhe mbështetjen e Bankës Botërore organizoi Konferencën Ndërkombëtare “Reformimi i sistemit të pensioneve në Shqipëri”.

Konferenca u përshëndet nga Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama, Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Z. Blendi Gonxhe, dhe Drejtoresha e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Zj. Xiaoqing Yu.
 
Ky event ndërkombëtar mblodhi së bashku përfaqësues të nivelit të lartë nga institucionet financiare ndërkombëtare, autoritetet mbikëqyrëse dhe përfaqësues të tregjeve financiare dhe ekspertë të fushës për të diskutuar mbi sfidat aktuale të sistemit të pensioneve dhe adresimin e tyre përmes reformave.

Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit, Zj. Mimoza Kaçi, mori pjesë në diskutimet e panelit të dytë “Pensionet private dhe skemat me kontribute të përcaktuara”, së bashku me Guvernatorin e Bankës Qendore të Kosovës, z. Ahmet Ismaili, si edhe përfaqësues të lartë të autoriteteve homologe nga Maqedonia e Veriut dhe Kroacia. Diskutimet u fokusuan tek sfidat e tregut të fondeve private të pensionit dhe nismat e ndërmarra për forcimin dhe rritjen e këtij tregu. Zj. Kaçi nënvizoi rëndësinë e pensioneve private si mundësi kursimi afatgjatë për qytetarët, për të siguruar më shumë të ardhura dhe mirëqënie në moshën e pensionit, si dhe përmendi nismat e ndërmarra nga Autoriteti për nxitjen e zhvillimit të tyre.

Me miratimin e ligjit të ri për fondet private të pensionit në nëntor të vitit 2023, Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm drejt përafrimit me direktivën IORP II të Bashkimit Europian. Ky legjislacion ka sjellë risi dhe avantazhe për inkurajimin e pjesëmarrjes në skemat private të pensioneve, më shumë alternativa investimi, incentiva fiskale, përmirësim të qeverisjes dhe forcim të mbrojtjes së anëtarëve.
 
Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive shtroi për diskutim edhe zgjidhje të mundshme alternative nëpërmjet reformimit të sistemit privat të pensioneve, duke theksuar domosdoshmërinë për një analizë të plotë, vlerësim të kujdesshëm dhe konsensus të përbashkët për dizenjimin e një modeli të qëndrueshëm.

“Kam besim në potencialin e lartë të zhvillimit transformues dhe efektet pozitive që shoqërojnë reformën e pensioneve. Duke pranuar ndryshimin dhe zgjidhjet novative, mund të sigurojmë një të ardhme më të sigurt dhe më të begatë për qytetarët shqiptarë”, u shpreh ndër të tjera Zj. Kaçi.
 
Autoriteti është plotësisht i angazhuar për të siguruar transparencë dhe integritet të tregjeve financiare, përfshirë tregun e pensioneve private dhe do të vijojë punën për ndjekjen e zbatimit të kuadrit të ri ligjor dhe rregullator.