
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare mbështet edukimin financiar të studentëve përmes konkursit "të mësojmë për bursën"
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në bashkëpunim me German Sparkassenstiftung Albania organizuan ceremoninë përmbyllëse të konkursit "Të mësojmë për bursën" - Stock Market Learning Competition 2024. Aktiviteti u konceptua si instrument për nxitjen e edukimit financiar, duke i aftësuar studentët me njohuri praktike mbi funksionimin e tregjeve të kapitalit, investimeve dhe planifikimit financiar. Në këtë iniciativë, e cila organizohet nga Autoriteti për të katërtin vit radhazi, morën pjesë studentë nga fakultetet ekonomike të universiteteve të ndryshme në vend. Një risi e këtij viti ishte përfshirja e një skuadre me punonjës të AMF.
Gjatë ceremonisë, Nëndrejtoresha Ekzekutive e AMF-së zj.Merita Gurabardhi u shpreh se aktivitete të tilla janë një mundësi për të rinjtë që të zhvillojnë aftësitë e tyre praktike në një mjedis të sigurt dhe transparent.
I pranishëm në këtë aktiviteti, Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri z.Karlfried Bergner, përgëzoi studentët shqiptarë për pjesëmarrjen në këtë konkurs, krahas të rinjve nga e gjithë Europa, dhe i inkurajoi ata të thellojnë njohuritë e tyre në fushën e tregjeve financiare.
Në konkurs morrën pjesë 32 skuadra studentore nga 15 universitete të ndryshme në vend, të cilët u angazhuan për katër muaj në platformën virtuale të bursës. Studentët patën mundësinë të krijojnë portofolet e tyre të investimit në tituj, duke përdorur çmimet reale të tregtimit në tregjet financiare ndërkombëtare. Në përfundim të konkursit, gjashtë skuadra studentore u shpallën fituese të çmimeve promovuese.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare mbetet i angazhuar në organizimin e aktiviteteve që synojnë rritjen e edukimit dhe përfshirjes financiare, në përputhje me strategjinë e tij institucionale.