26 Shtator 2011

Mbi fillimin e projektit të Bankës Botërore për liberalizimin e sigurimit të detyrueshëm motorik

Në datat 19-23 shtator, në kuadër të projektit të përbashkët me Bankën Botërore, të financuar nga First Initiative, mbi “Liberalizimin e  Sigurimit të Detyrueshëm Motorik në Shqipëri”, pranë zyrave të AMF-së u zhvilluan takimet e para me grupin e ekspertëve të Bankës Botërore. Ekipi i përbërë prej pesë ekspertësh të fushës së sigurimeve, zhvilloi takime intensive me ekspertë të AMF-së, operatorët e tregut dhe me përfaqësues të Byrosë Shqiptare të Sigurimit. Qëllimi kryesor i këtij misioni të parë, ishte diagnostikimi i situatës aktuale në tregun e sigurimit të detyrueshëm motorik, përcaktimi i hapave të mëtejshëm në përmbushje të objektivave kryesore të projektit: zhvillimi i politikave dhe proceseve drejt tarifimit me bazë riskun të produkteve të sigurimit të detyrueshëm motorik, si dhe përafrimi i kuadrit aktual ligjor që rregullon sigurimin e detyrueshëm motorik me direktivat e BE-së. 

Ky projekt vjen në një moment tepër të rëndësishëm për tregun shqiptar të sigurimeve, ku aktualisht është hequr me ligj regjimi i tarifave fikse në sigurimin e detyrueshëm motorik. Në këto kushte, projekti do të synojë të adresojë disa çështje të rëndësishme për të lehtësuar tranzicionin drejt një tarifimi më efiçent, që është ai me bazë riskun. Një nga aspektet më të rëndësishme është që AMF të ketë mjetet e duhura për t’u siguruar që shoqëritë e sigurimit mbajnë provigjone të mjaftueshme për përgjegjësitë që ato kanë ndërmarrë, duke e konceptuar në dy forma:

-    Ndërtimi i një procesi për të verifikuar nëse provigjonet për dëme janë të mjaftueshme për situatat e njohura, si dhe;
-    Ndërtimi i një procesi për të siguruar që biznesi dhe risqet e rinovueshëm sigurohen me çmime teknikisht të pranueshme.

Gjithashtu projekti do të ketë në vëmendje dhe disa përmirësime që mund t’i bëhen Qendrës së Informacionit të Sigurimit të Detyrueshëm Motorik, me fokus dhe ngritjen e fazës së tretë të saj, sistemin Bonus-Malus. Po kështu do të bëhet i mundur dhe zhvillimi i një strategjie për menaxhimin e numrit të të pasiguruarve.

Pritshmëritë e projektit janë tepër konkrete duke i dhënë formë dhe strategjisë që AMF ka patur për liberalizimin e sigurimit të detyrueshëm motorik. Pavarësisht sfidave aktuale me të cilat përballet tregu i sigurimeve në fazat e para të zbatimit të tarifave sipas tregut të lirë, AMF në bashkëpunim me tregun do të synojë një tranzicion sa më të lehtë drejt ofrimit të një produkti cilësor të sigurimit të detyrueshëm motorik, në funksion të ndërtimit të një tregu të qëndrueshëm e efiçent.