1 Prill 2008

Rezolutë - Mbi politikën e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare ndaj tregut të pensioneve private dhe suplementare

 

REZOLUTË 

Mbi politikën e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare ndaj tregut të pensioneve private dhe suplementare

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, mbështetur në Nenin 14, pika 20 e ligjit Nr. 9572 "Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare" si dhe në,

  • misionin e tij si mbrojtës i të drejtave të publikut aderues në fondet e pensioneve private,
  • funksionin e tij si rregullues dhe mbikëqyrës i tregut,
  • rolin e rëndësishëm si nxitës i zhvillimit të tregjeve financiare të qëndrueshme,
  • angazhimet kundrejt institucioneve financiare ndërkombëtare, FMN-së dhe Bankës Botërore,


gjykon se:

Fondet e pensioneve private dhe suplementare janë institucione të rëndësishme që duhet të garantojnë siguri financiare, administrim të mirë dhe qëndrueshmëri afatgjatë pasi mbledhin dhe administrojnë kursimet e popullatës. Kundrejt mbledhjes së kursimeve, fondet e pensioneve premtojnë investimin efiçent të këtyre fondeve dhe rimbursimin në formë pensionesh pas shumë vjetësh. Dështimi i fondeve të pensioneve shkakton probleme të rënda financiare dhe sociale që mund të sjellin rënien e sistemit financiar dhe kriza të mëdha në nivel kombëtar.

Për të patur një treg të shëndoshë, të besueshëm dhe të qëndrueshëm, është kusht i domosdoshëm që baza ligjore dhe kërkesat e parashikuara në të, të jenë të qarta dhe strikte, në perputhje me standartet dhe praktikat ndërkombëtare dhe direktivat e komunitetit Evropian.

Kuadri ekzistues ligjor  për tregun e pensioneve private dhe suplementare është i papërshtatshëm.

Minimalisht:

a) Kërkesat për krijimin e fondeve të pensioneve dhe kapitalin minimal jane tepër të ulta.
b) Kriteret për administrimin e fondeve të kontribuesve nuk sigurojnë për një administrim profesional që do të garantonte mbrojtje të fondeve dhe investim eficent.
c) Roli dhe detyrat e AMF-së si rregullator dhe mbikëqyres i këtij tregu janë të pamjaftueshme dhe të paqarta.


për sa më sipër:

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, shprehet se, në trajtimin e tij të tregut të pensioneve private dhe suplementare, do të vazhdojë të respektojë angazhimin zyrtar të shtetit shqiptar kundrejt FMN-së dhe Bankës Botërore për pezullimin e dhënies së licencave të reja për fonde pensionesh private dhe suplementare në vend, deri në miratimin e një kuadri të përshtatshëm ligjor.

Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare, në përmbushje të misionit të tij dhe me fuqinë që i jep ligji, është duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të kufizuar çdo veprim në tregun ekzistues të pensioneve private dhe suplementare që bie në kundërshtim me standartet bazë ndërkombëtare, të cilat pritet te adoptohen  në kuadrin e ri ligjor.

Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare do të ndërmarrë të gjitha përpjekjet e mundshme për të përshpejtuar punën për përgatitjen e kuadrit të ri ligjor për tregun e pensioneve private dhe suplementare, dhe për të mundësuar përfundimin e tij brenda vitit 2008.

                                              

Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare


                                                                                                                   27 Mars, 2008