6 Tetor 2011

Shoqatat aktuariale nga Evropa Juglindore shkëmbejnë përvojat

Shoqata Aktuariale Kroate në bashkëpunim me Shoqatën Aktuariale Ndërkombëtare (IAA) në mbështetje të rritjes dhe sofistikimit të sektorit të sigurimeve zhvilluan gjatë periudhës 3-4 tetor, në Zagreb, Kroaci, takimin rajonal mbi shkëmbimin e përvojave lidhur me vënien në zbatim të standardeve ndërkombëtare për aktuarët. Në të morën pjesë përfaqësues të shoqatave aktuariale dhe autoriteteve mbikëqyrëse nga Evropa Juglindore, së bashku me përfaqësues të organit të vendosjes së standardeve ndërkombëtare për aktuarët, Shoqata Aktuariale Ndërkombëtare (IAA).

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, u përfaqësua në këtë takim nga Nënkryetarja, Znj. Enkeleda Shehi dhe Znj. J.Dengeri aktuare.

Sipas studimeve të kryera nga programi “Partnerë për Stabilitetin Financiar” (PFS) në vitin 2010, ka një mungesë aktuarësh në shumicën e vendeve të Evropës Juglindore dhe Evro-Azisë. Aktuarët profesionistë të certifikuar, janë një element me rëndësi të madhe për rritjen dhe sofistikimin e sektorit të sigurimeve. Analiza aktuariale u jep mundësi shoqërive të sigurimit t’u vendosin çmimin e duhur policave të sigurimit, të ofrojnë një gamë më të gjerë policash për një grup më të madh klientësh tregtarë dhe individualë, si dhe të vlerësojnë risqet e mundshme të tregut të sigurimeve.

Gjatë seminarit u trajtuan problematika të ndryshme aktuariale dhe u shkëmbyen eksperiencat lidhur me zgjidhjen e tyre. Gjithashtu, Shqipërisë ju bë ftesa për t`iu bashkuar grupit të gjerë të Shoqatës Aktuariale Ndërkombëtare (IAA), pjesëmarrja në të cilën do i ndihmojë aktuarët tanë jo vetëm në njohjen e metodave të reja aktuariale por edhe në shkëmbimin e përvojave mes shteteve përfaqësuese në vazhdimësi.