12 Tetor 2011

Zhvillohet takimi i dytë rajonal i mbikëqyrësve të tregjeve të sigurimeve të vendeve të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) në bashkëpunim me Autoritetin Hungarez të Mbikëqyrjes Financiare, zhvilluan në datat 10 -11 tetor në Tiranë, takimin e dytë rajonal me Mbikëqyrësit e Sigurimeve të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore.

Kjo iniciativë, e iniciuar në prill të vitit 2011 nga Autoriteti i Tregut Financiar Austriak dhe Autoriteti Hungarez i Mbikëqyrjes Financiare, mbledh së bashku Autoritetet Mbikëqyrëse të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore, me qëllim promovimin dhe mbajtjen e marrëdhënieve të ngushta të bashkëpunimit dhe bashkëveprimit mes mbikëqyrësve të sigurimeve në rajon.

Në këtë takim, krahas AMF-së, morën pjesë autoritetet homologe të vendeve si Austria, Hungaria, Maqedonia, Moldavia, Mali i Zi, Polonia, Rumania, Serbia dhe Sllovakia.

Në veçanti, u trajtuan çështje si ‘provigjonet e dëmeve’, ‘shpërndarja e sigurimeve – ndërmjetësit’, ‘roli i aktuarit në autoritetin rregullator’, ‘testet ‘fit&proper’ dhe problematika e lidhur me to’, si dhe ‘shkëmbimi i informacionit mbi risqet e konsumatorit, specifike për sigurimet’.

AMF, në këtë takim të nivelit të lartë, u përfaqësua nga Kryetarja, Zj. Elisabeta Gjoni, Zj. Enkeleda Shehi, Nënkryetare, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të institucionit.

Takimi rezultoi i suksesshëm, me diskutime dhe shkëmbime eksperiencash të vlefshme midis rregullatorëve të pranishëm, duke ruajtur frymën e bashkëpunimit efektiv mbi çështjet dhe problematikat e përbashkëta që hasen në rregullimin e tregjeve të sigurimeve.

Për më tepër informacion në lidhje me këtë eveniment kontaktoni [email protected]