17 Tetor 2011

Zhvillohet Konferenca Rajonale me temë: "Zhvillimi i tregjeve të riskut të katastrofave dhe të motit në vendet e Evropës Juglindore: Nga koncepti në realitet"

Në datat 12-15 Tetor, 2011 në Ohër, Maqedoni u zhvillua Konferenca e Parë Rajonale mbi Risigurimet me temë: “Zhvillimi i tregjeve të riskut të katastrofave dhe të motit në vendet e Evropës Juglindore: Nga koncepti në realitet“.

Në Evropën Juglindore katastrofat natyrore si përmbytjet dhe tërmetet përbëjnë pasoja të rënda për jetën, pronën, dhe ekonomitë kombëtare. Aktualisht tregu komercial i sigurimeve ofron qasje të kufizuar në mbulimin e përballimin e pasojave në mbrojtje të  individëve, bizneseve të vogla dhe ekonomive të qeverive kundër humbjeve që rrjedhin nga rreziku i motit dhe ato gjeografike. Megjithatë, sigurimi mund të luajnë një rol shumë më të rëndësishëm në uljen e nivelit të ekspozimit ekonomik dhe fiskal ndaj fatkeqësive natyrore në Evropën Juglindore.

Në këtë kontekst, Banka Botërore ka mbështetur krijimin e një organizmi “Europa Reinsurance Facility - Europa Re LTD” me qëllim përmirësimin e aksesit për të siguruarit ndaj motit dhe rrezikut të katastrofës për miliona familje, biznese të vogla, dhe qeveritë anëtare të shteteve të Evropës Juglindore. Themeluar në vitin 2009 në Zvicër Europa Re është një organizëm me qëllim jo përfitimi i krijuar nga Banka Botërore, Komisioni Europian, Sekretariati i Shtetit të Zvicrës për Cështjet Ekonomike (SECO), dhe Kombet e Bashkuara, njësia mbi shkatërrimet nga katastrofat (UNISDR). Ajo drejtohet nga një bord i pavarur drejtorësh dhe menaxhohet nga një ekip menaxherësh profesionistë nga qeveritë e Shqipërisë, Maqedonisë dhe Serbisë. Krijimi i Europa Re synon të lehtësojë tregjet nga dëmet nga katastrofat kombëtare dhe nga rrezikut i motit me anë të krijimit dhe prodhimit të produkteve të reja të lira të sigurimeve, adoptimit të produkteve teknologjike më të përparuara, reformës rregullatore, edukimit të konsumatorëve dhe të ofrimit të shërbimeve të risigurimit. Europa Re është aktualisht në procesin e krijimit të infrastrukturës teknike të nevojshme për nisjen e veprimtarisë së saj të risigurimit në vendet e rajonit. Kjo, ndër të tjera, përfshin zhvillimin e një platforme dixhitale dhe krijimin e modeleve të sigurimit dhe risigurimit kundër tërmetit dhe përmbytjeve që së bashku do të mundësojë siguruesit në rajon për të automatizuar të gjitha veprimtaritë (p.sh., marrjen në sigurim, operacionet e menaximit të riskut dhe çmimet etj.) në mbështetje të shitjeve të produkteve komplekse ndaj katastrofave dhe motit të keq.

Si hapi i parë në këtë proces Europa Re dhe Banka Botërore në bashkëpunim ISA, Autoritetin e Mbikëqyrjes së Sigurimeve të Maqedonisë, pritën Konferencën e parë Rajonale për këtë qëllim.

Eventi mblodhi së bashku zyrtarë të lartë nga qeveritë e rajonit të Evropës Juglindore që janë në faza të ndryshme të procesit të tyre të pranimit në BE, si edhe zyrtarë të lartë nga autoriteteve rregullatore nga rajoni i lartpërmendur e nga vendet e BE-së, akademikë të shquar si dhe aktorë nga tregut të sigurimeve. U vlerësua pjesëmarrja e përfaqësuesve nga Shqipëria, si përfaqësuesit e lartë të AMF, të Ministrisë së Financës dhe të tregut të sigurimeve, shoqëritë Interalbanian dhe Eurosig.

Dy nga seksionet e rëndësishme të konferencës u moderuan nga përfaqesuesit nga Shqipëria, dhe konkretisht Znj. Elisabeta Gjoni, Kryetare e AMF moderoi sesionin e parë të ditës së dytë të eventit me teme: “Mbikëqyrja me bazë risku e katastrofave dhe mjetet për realizimin e saj”. Në këtë Sesion u diskutua për çështje si: Stadi aktual i rregullatorëve të sigurimeve dha katastrofat në tregjet e ekonomive në zhvillim; Qasja rregullatore e katastrofave dhe menaxhimi i riskut në shoqëritë e sigurimit; Hyrje në mbikëqyrjen me bazë risku për riskun e katastrofave në vendet e Evropës Juglindore; dhe Mbikëqyrja me bazë risku dhe mjetet e përdorura për vendet e Evropës Juglindore.

Z. Resmi Hibraj, Drejtor i Borxhit pranë Ministrise se Financës  moderoi sesionin e parë të ditës së parë të Konferencës me temë: “Përfitimet dhe mundësitë për përfituesit kryesore” ku u diskutua mbi Rolin e Qeveritarëve në organizmin Europa Re dhe  Hyrje në Modele të Biznesit të Europa Re.

Në event u paraqiten modele të reja të menaxhimit të riskut në katastrofa, mjetet rregullatore për kalkulimin e aftësisë paguese të riskut dhe politikat e qeverive në financimin e riskut nga shkatërrimet natyrore.
Prezantimet ishit të një niveli mjaft të lartë dhe u fokusuan në çështje kryesore si:

•    Sigurimi nga Risku i Katastrofave dhe Moti
•    Përfitimet dhe mundësitë për përfituesit kryesore
•    Zhvillimi i produkteve të reja të sigurimit nga katastrofat, roli i politikave qeveritare
•    Risigurimi nga risku i motit - perspektivat e tregut

Eventi u karakterizua nga një interesim i pjesëmarrësve, gjë që perforcoi domosdoshmerine e organizimeve të tilla në drejtim të njohjes dhe shkëmbimit të eksperiencave dhe praktikave me të mira në fushen e rëndësishme të sigurimeve.