25 Tetor 2011

Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për periudhën janar-shtator 2011

Të ardhurat nga primet e sigurimit, në periudhën janar-shtator 2011, arritën rreth 6,538 milionë lekë, ose 4.73% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Gjatë periudhës janar-shtator 2011, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 993,807, duke dyfishuar numrin e kontratave krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, që sollën rreth 87.52% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 12.22% dhe veprimtarinë e risigurimit me 0.26%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit: i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 53.97% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm motorik zënë 46.03% të totalit të tregut.

Sigurimi i Detyrueshëm Motorik

Primet në sigurimin e detyrueshëm motorik arritën shifrën 3,009 milionë lekë, ose rreth 7.82% më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Produkti MTPL e brendshme, gjatë periudhës janar-shtator të vitit 2011, pati një ulje prej 23.43% për primet e shkruara bruto, ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 1.12% krahasuar me periudhën janar-shtator të vitit 2010.

Produkti Sigurim Kufitar në periudhën janar-shtator 2011 pati një ulje prej 0.09% për primet e shkruara bruto shoqëruar me një ulje të numrit të kontratave prej 4.15% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Produkti Karton Jeshil në periudhën janar-shtator  2011 pati një rritje prej 43.45% për primet e shkruara bruto, shoqëruar dhe me rritjen e numrit të kontratave prej 39.69% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.


Sigurimi Vullnetar

Primet e sigurimit vullnetar, në periudhën janar-shtator të vitit 2011, arritën rreth 3,529 milionë lekë, ose 18.49% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë, si dhe është shoqëruar me një dyfishim të numrit të kontratave. Vlen të theksojmë se rritja e konsiderueshme e numrit të kontratave në sigurimin vullnetar ka ardhur nga rritja e numrit të kontratave të sigurimit të shëndetit.

Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës, gjatë periudhës janar-shtator 2011, patën rritje me rreth 15.59%  kundrejt periudhës janar-shtator  të vitit 2010.

Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive me të ardhura rreth 1,535 milionë lekë në total, vendin e parë e zuri sigurimi nga zjarri dhe rreziqet shtesë, me rreth 45.47%, i pasuar nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me rreth 19.99%.

Në portofolin ‘Zjarri dhe rreziqet shtesë', gjatë periudhës janar-shtator të vitit 2011, ndihet një rritje prej 14.11% e numrit të kontratave të sigurimit dhe rritje me rreth 3.77% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli, krahasuar me periudhën janar-shtator të vitit 2010.

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve personale dhe shëndetit gjatë periudhës janar-shtator 2011 arritën në rreth 708 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 141.90% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2010. Kjo rritje është ndikuar nga rritja e volumit të primeve në klasën e sigurimit të shëndetit. Sigurimet e shëndetit zunë rreth 89.54% të të ardhurave të këtij grupi.

Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar-shtator 2011 arritën 799 milionë lekë, ose rreth 36.06% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

 

Dëmet e Paguara Bruto

Pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar-shtator 2011 u rritën me rreth 3.06% krahasuar me periudhën janar-shtator të vitit 2010. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto u përket sigurimeve motorike me 1,299 milionë lekë, që përbëjnë rreth 81.08% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Dëmi mesatar për produktet kryesore të sigurimit motorik paraqitet në tabelën e mëposhtme:

në mijë lekë

Lloji i sigurimit

janar-shtator

2010

2011

                                                                                   Dëmi mesatar

MTPL e brendshme

                    113

             146

Karton Jeshil

                    1,079

             459

Kasko

                    91

             97


Për çdo të interesuar, Buletini Statistikor për periudhën janar-shtator 2011, përmban pasqyra të detajuara të ndarjes së Tregut të Sigurimeve, sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit në treg, etj.

Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën janar - shtator 2011 (në versionin EXCEL) klikoni këtu