14 Nentor 2011

Zhvillohen mbledhjet e komiteteve të IAIS-it

Organizata Ndërkombëtare e Mbikëqyrësve në Sigurime (IAIS) në bashkëpunim me Institutin për Stabilitet Financiar (FSI) i Bankës për Rregullime Ndërkombëtare (BIS), zhvilluan gjatë periudhës 8-11 nëntor në Bazel, në zyrat qendrore të BIS, mbledhjet e radhës të komiteteve të IAIS-it. Normalisht, takimet e Komiteteve të IAIS-it, zhvillohen tre herë në vit. Qëllimi i zhvillimit të takimit ishte shkëmbimi i pikëpamjeve në rregullimin e sektorit të sigurimeve dhe çështjet e mbikëqyrjes, si dhe diskutime ne lidhje me draft dokumentat e hartuara nga komitetet dhe grupet e punës të kësaj organizate përpara mbledhjes vjetore të radhës.

Themeluar në vitin 1994, IAIS është organizata ndërkombëtare që përfaqëson rregullatorë dhe mbikëqyrës të sektorit të sigurimeve nga 140 vende të botës, me qëllim vendosjen dhe unifikimin e standardeve të sigurimit. AMF është anëtare e kësaj organizate që prej vitit 2001. IAIS punon ngushtë me organizma të tjera financiare të vendosjes së standardeve financiare dhe organizata ndërkombëtare, si Komiteti i Bazelit për Mbikëqyrjen Bankare dhe Shoqata Ndërkombëtare e Komisioneve të Letrave me Vlerë, me qëllim që të kontribuojë në stabilitetin financiar global.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, u përfaqësua në këtë aktivitet nga Znj. Enkeleda Shehi, Nënkryetare e AMF-së.

Në takimet e Komitetit të Stabilizimit Financiar (FSC), prezantimet u fokusuan në:

o    Raportin e sekretariatit të IAIS-it mbi situatën aktuale të krizës financiare globale në tregun e sigurimeve;
o    Propozimet mbi përgjigjet e IAIS-it për krizën financiare në sektorin e sigurimeve;
o    Metodologjinë  alternative për vlerësimin e siguruesve potenciale të G-SIFI (institucionet globale me të
      rëndësishme financiare).

Në mbledhjet e Komitetit Teknik të IAIS-it, mbas raportit të mbajtur nga Kryetari i Komitetit Teknik dhe raportit të sekretariatit të IAIS-it mbi punën e zhvillimet në Komitetin Teknik, diskutimet u përqendruan në:

o    Drejtimin strategjik të projektit Com Frame (Kuadri i përbashkët rregullator i mbikëqyrjes së grupeve të
      sigurimeve aktive në nivel ndërkombëtar);
o    Prezantimin mbi disa opsione për rrugët e mundshme për vendosjen e standardeve, pjesë e Com Frame.

Mbikëqyrja efektive e këtyre grupeve te sigurimeve me aktivitete ndërkombëtare, shikohet nga IAIS si një qasje me mjaft rëndësi, pasi suksesi i saj do të përforconte sigurimin e stabilitetit financiar të organizatës. Objektivi i përgjithshëm i nismës ComFrame, e cila është planifikuar të përfundojë deri në korrik 2013, është të kontribuojë në stabilitetin e sistemit financiar duke mbyllur boshllëqet në mbikëqyrjen e sigurimeve nëpër botë.

Në ditën e fundit të aktivitetit u zhvillua mbledhja e Komitetit Ekzekutiv (ExCo) të IAIS-it. Z. Peter Braumüller, kryetar i saj, raportoi mbi të rejat dhe zhvillimet që nga konferenca vjetore e mbajtur në Seul, Kore e Jugut. Në vazhdim, çështjet e diskutuara përshinë:

o    Raporti i sekretariatit të IAIS-it mbi koordinimin e çështjeve midis komiteteve, si dhe udhërrëfyesi mbi
      zhvillimet e ardhshme;
o    Raporti i Komitetit të Stabilizimit Financiar mbi progresin dhe afatet në Projektin G-SIFI;
o    Raporti i Grupit të Mbikëqyrjes së ComFrame (Kuadri i Përbashkët Rregullator i Mbikëqyrjes së Grupeve të
      Sigurimeve Aktive), etj 

Pjesëmarrja e autoriteteve mbikëqyrëse në këtë takim i shërbeu  zhvillimit dhe zbatimit të standardeve ndërkombëtare të mbikëqyrjes, shkëmbimit të informacionit apo të pikëpamjeve për zhvillimet e reja të tregut të sigurimeve dhe forcimit të bashkëpunimit midis autoriteteve mbikëqyrëse  në këtë sektor të rëndësishëm të sektorit financiar.

Në aktivitet morën pjesë edhe përfaqësues të autoriteteve të ndryshme rregullatore, anëtarë të
IAIS-it, vëzhgues të ndryshëm nga industria dhe ekspertë të fushës së sigurimeve.