15 Nentor 2011

Zhvillohet mbledhja e Shoqatës Kombëtare të Komisionerëve në Sigurime (NAIC)

Shoqata Kombëtare e Komisionerëve në Sigurime (NAIC) zhvilloi gjatë periudhës 3-6 nëntor 2011, në Maryland, SHBA mbledhjen e saj të radhës. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, u përfaqësua nga Znj. Elisabeta Gjoni, Kryetrare dhe Znj.  Anxhela Dervishi, Drejtore e Analizës e Raportimit.

NAIC është një organizatë private, vullnetare, jo fitimprurëse, që ka si anëtarë drejtuesit e autoriteteve rregullatore të SHBA-së. NAIC është krijuar për të nxitur koordinimin, bashkëveprimin dhe uniformitetin në rregullimin ligjor të sigurimeve, ndërmjet autoriteteve rregullatore të shteteve të ndryshme. Mbledhjet e NAIC zhvillohen rregullisht katër herë në vit, ndërsa komitetet përbërëse mblidhen gjatë vitit periodikisht dhe raportojnë te NAIC gjatë mbledhjeve të tij. NAIC në mbledhjet e tij ndjek një politikë të mbledhjeve të hapura, me qëllim që edhe autoritetet rregullatore të shteteve të ndryshme dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare, me fokus në sigurime, të mund të marrin eksperiencë nga tregu amerikan i sigurimeve.

Ndër çështjet kryesore që u diskutuan gjatë miratimit të raporteve nga Komiteti Ekzekutiv dhe grupet e punës të NAIC, përmendim: sistemet e informacionit, çështjet lidhur me aftësinë paguese të grupit, iniciativën për modernizimin e aftesisë paguese, praktikat dhe procedurat e kontabilizimit, mjaftueshmëria e kapitalit, mbajtja e riskut, etj.

Në prezantimin e temave që lidheshin me aftësinë paguese, u theksua që puna e deritanishme ka konsistuar në draftimin e praktikave më të mira për grupet në sigurime  e do të vazhdojë me diskutime mbi draftin e manualit për vlerësimin e riskut dhe të aftësisë paguese.

Në mbledhje u trajtuan interpretime të propozuara për parimet ekzistuese të kontabilitetit statutor. Gjithashtu, grupi i punës për mbajtjen e riskut, diskutoi komentet lidhur me pyetjet e intervistës për menaxherët dhe palët e kontraktuara që do të duhet të përdoren gjatë fazës së planifikimit të një inspektimi me bazë risku.

Një prezantim iu kushtua edhe iniciativës së NAIC për modernizimin e aftësisë paguese, e cila konsiston në një vetë shqyrtim të rregullimit ligjor të aftësisë paguese në sigurime, në SHBA dhe përfshin rishikimin e zhvillimeve ndërkombëtare në lidhje me mbikëqyrjen e sigurimeve, të bankave dhe të standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit e përdorimin e tyre të mundshëm në kuadrin ligjor të sigurimeve në SHBA.

Në këtë aktivitet merrnin pjesë përfaqësues nga autoritete të ndryshme rregullatore.