6 Maj 2008

Kryetarja e AMF-së pret përfaqësuesit e lartë të Autoritetit Qendror Bankar të Kosovës

Në datën 06 Maj 2008, një delegacion i nivelit të lartë të Autoritetit Qendror Bankar të Kosovës (AQBK), i përbërë nga Z. Gazmend Luboteni - Kryetar i Bordit, Z. Hashim Rexhepi - Drejtor i Përgjithshëm dhe Z. Agron Dida - Inspektor i Përgjithshëm, pati një takim pune me Zj. Elisabeta Gjoni- Kryetare e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) dhe nënkryetarët, Ermela Guxholli e Keler Gjika. Ky takim u zhvillua në kuadrin e një vizite dy ditore në Tiranë të përfaqësuesve të AQBK-së, menjëherë pas marrjes prej tyre të funksioneve më të larta drejtuese të këtij institucioni.

Takimi vuri theksin në rëndësine e forcimit të bashkëpunimit të dy institucioneve për rregullimin dhe mbikëqyrjen e sektorëve financiarë jo - bankarë, si domosdoshmëri në ruajtjen e stabilitetit financiar të të dy vendeve dhe të rajonit në përgjithësi. Përqasja e rregullave me direktivat Europiane dhe vendosja e standardeve ndërkombëtare në të dy vendet do të mbështetet nga bashkëpunimi dhe shkëmbimi i eksperiencës së të dy rregullatorëve.

Vend të veçantë në diskutime patën: trajtimi i problemeve të sigurimeve të detyrueshme motorrike dhe nevoja për ndryshime në arkitekturën e tyre, përfshirja e elementëve të mbikëqyrjes me bazë rrezikun në mbikëqyrjen e sigurimeve dhe pensioneve, kryerja e inspektimeve të përbashkëta, zhvillimi i tregjeve të letrave me vlerë, etj.

Në përfundim të takimit, përfaqësuesit e të dy institucioneve u angazhuan për forcimin e frymës së bashkëpunimit midis dy institucioneve nëpërmjet takimeve të tjera të cilat duhet të jenë të shpeshta. Në këtë kuadër, përfaqësuesit e lartë të AQBK-së ftuan Zj. Elisabeta Gjoni për një vizitë zyrtare në Prishtinë.