23 Dhjetor 2011

Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për periudhën janar-nëntor 2011

Të ardhurat nga primet e sigurimit, në periudhën janar-nëntor 2011, arritën rreth 7,689 milionë lekë, ose 5.27% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Gjatë periudhës janar-nëntor 2011, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 1,187,467, pothuajse duke dyfishuar numrin e kontratave  e krahasuar  kjo me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, te cilat sollën rreth 87.56% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 12.22% dhe veprimtarinë e risigurimit me 0.22%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 54.98% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm motorik zënë 45.02% të totalit të tregut.

Sigurimi i Detyrueshëm Motorik

Primet në sigurimin e detyrueshëm motorik arritën shifrën 3,461 milionë lekë, ose rreth 10.55% më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Produkti MTPL e brendshme, gjatë periudhës janar-nëntor të vitit 2011, pati një ulje prej 24.48% për primet e shkruara bruto, ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 3.97% krahasuar me periudhën janar-nëntor të vitit 2010.

Produkti Sigurim Kufitar në periudhën janar-nëntor 2011 pati një rritje prej 1.88% për primet e shkruara bruto dhe një ulje të numrit të kontratave prej 2.21% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Produkti Karton Jeshil në periudhën janar-nëntor 2011 pati një rritje prej 30.54% për primet e shkruara bruto, shoqëruar dhe me rritjen e numrit të kontratave prej 39.86% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sigurimi Vullnetar

Primet e sigurimit vullnetar, në periudhën janar-nëntor të vitit 2011, arritën rreth 4,228 milionë lekë, ose 23.10% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë, si dhe është shoqëruar me një dyfishim të numrit të kontratave. Vlen të theksojmë se rritja e konsiderueshme e numrit të kontratave në sigurimin vullnetar ka ardhur nga rritja e numrit të kontratave të sigurimit të shëndetit.

Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës, gjatë periudhës janar-nëntor 2011, patën rritje me rreth 22.53%  kundrejt periudhës janar-nëntor të vitit 2010.

Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive me të ardhura rreth 1,885 milionë lekë në total, vendin e parë e zuri sigurimi nga zjarri dhe rreziqet shtesë, me rreth 50.47%, i pasuar nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me rreth 18.66%.

Në portofolin ‘Zjarri dhe rreziqet shtesë', gjatë periudhës janar-nëntor të vitit 2011, ndihet një rritje prej 20.39% e numrit të kontratave të sigurimit dhe rritje me rreth 12.39% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli, krahasuar me periudhën janar-nëntor të vitit 2010.

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve personale dhe shëndetit gjatë periudhës janar-nëntor 2011 arritën në rreth 812 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 140.85% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2010. Kjo rritje është ndikuar nga rritja e volumit të primeve në klasën e sigurimit të shëndetit. Sigurimet e shëndetit zunë rreth 88.65% të të ardhurave të këtij grupi.

Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar-nëntor 2011 arritën rreth 940 milionë lekë, ose 30.37% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

 

Dëmet e Paguara Bruto

Pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar-nëntor 2011 u ulën  me rreth 0.95% krahasuar me periudhën janar-nëntor të vitit 2010. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto u përket sigurimeve motorike me 1,537 milionë lekë, që përbëjnë rreth 79.88% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Dëmi mesatar për produktet kryesore të sigurimit motorik paraqitet në tabelën e mëposhtme:

në mijë lekë

Lloji i sigurimit

           janar-nëntor

    Ndryshimi

     (në %)

2010

2011

Dëmi mesatar

MTPL e brendshme

117

145

24.24

Karton Jeshil

1,186

489

(58.74)

Kasko

85

95

11.14


Për çdo të interesuar, Buletini Statistikor për periudhën janar-nëntor 2011, përmban pasqyra të detajuara të ndarjes së Tregut të Sigurimeve, sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit në treg, etj.

Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën janar - nëntor 2011 (në versionin EXCEL) klikoni këtu