25 Janar 2012

Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për vitin 2011

Të ardhurat nga primet e sigurimit, në vitin 2011, arritën rreth 8,356 milionë lekë, ose 1.56% më shumë se viti i kaluar. Gjatë vitit 2011, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 1,306,016 ose 77.38% më shumë se një vit më parë. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, te cilat sollën 87% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me 12.78% dhe veprimtarinë e risigurimit me 0.22%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 55.29% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm motorik zënë 44.71% të totalit të tregut.

Sigurimi i Detyrueshëm Motorik

Primet në sigurimin e detyrueshëm motorik arritën rreth 3,727 milionë lekë, ose 12.15% më pak se viti 2010.

Produkti MTPL e brendshme, gjatë vitit 2011 pati një ulje prej 24.81% për primet e shkruara bruto, ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 5.79% krahasuar me vitin 2010.

Produkti Sigurim Kufitar, në vitin 2011 pati një rritje prej 1.56% për primet e shkruara bruto dhe një ulje të numrit të kontratave prej 2.01% krahasuar me një vit më parë.

Produkti Karton Jeshil, në vitin 2011 pati një rritje prej 22.98% për primet e shkruara bruto, shoqëruar dhe me rritjen e numrit të kontratave prej 37.29% krahasuar me një vit më parë.

Sigurimi Vullnetar

Primet e sigurimit vullnetar në vitin 2011 arritën rreth 4,609 milionë lekë, ose 16.23% më shumë se një vit më parë. Kjo është shoqëruar me një dyfishim të numrit të kontratave. Vlen të theksojmë se rritja e konsiderueshme e numrit të kontratave në sigurimin vullnetar ka ardhur nga rritja e numrit të kontratave të sigurimit të shëndetit.

Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës, gjatë vitit 2011, patën rritje me 15.15%  kundrejt vitit 2010.

Në portofolet e pronës, përgjegjësisë dhe garancive, të ardhurat ishin rreth 2,025 milionë lekë në total. Vendin e parë e zuri sigurimi nga zjarri dhe rreziqet shtesë, me 59.92 %, i pasuar nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme  civile me 19.71%.

Në portofolin zjarri dhe rreziqet shtesë, gjatë vitit 2011 ndihet një rritje prej 11.19% e numrit të kontratave të sigurimit dhe rritje me 9.56% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli, krahasuar me vitin 2010.

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve personale dhe shëndetit, gjatë vitit 2011 arritën në rreth 874 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 91.09 % në krahasim me vitin 2010. Kjo rritje është ndikuar nga rritja e volumit të primeve në klasën e sigurimit të shëndetit. Sigurimet e shëndetit zunë 88.49% të të ardhurave të këtij grupi.

Primet nga sigurimet e Jetës, gjatë vitit 2011 arritën rreth 1,066 milionë lekë, ose 25.53% më shumë se viti i kaluar.

 

Dëmet e Paguara Bruto

Pagesat e dëmeve gjatë vitit 2011 u ulën me 3.52% krahasuar me vitin 2010. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto u përket sigurimeve motorike me afro 1,726 milionë lekë, që përbëjnë  78.05 % të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Dëmi mesatar për produktet kryesore të sigurimit motorik paraqitet në tabelën e mëposhtme:

në mijë lekë

Lloji i sigurimit

            Viti

Ndryshimi

2010

2011

(në %)

Dëmi mesatar

 

MTPL e brendshme

                    118

             162

37.36

Karton Jeshil

                    1,410

             498

    (64.66)

Kasko

                    88

             98

                  11.67

Për çdo të interesuar për informacion të mëtejshëm, Buletini Statistikor për vitin 2011, përmban pasqyra të detajuara të ndarjes së Tregut të Sigurimeve, sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit në treg, etj.

Buletini Statistikor për vitin 2011 është rifreskuar më datë 08/10/2012, me shifrat përfundimtare të korrigjuara dhe të ridepozituara në autoritet.


Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën janar - dhjetor 2011 (në versionin EXCEL) klikoni këtu