28 Mars 2025

Autoriteti organizon tryezë diskutimi në kuadër të integrimit evropian me përfaqësues të tregut të kapitaleve

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në bashkëpunim me Shoqërinë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), organizoi një tryezë diskutimi në kuadër të përafrimit të legjislacionit me acquis të Bashkimit Evropian. Në këtë takim, ku u diskutua mbi ngritjen e skemës së kompensimit të investitorëve në Shqipëri, morën pjesë përfaqësues të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Bankës së Shqipërisë, Agjensisë së Sigurimit të Depozitave, bankave tregtare në vend, si dhe ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë në fushën financiare.
 
Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit, zj. Mimoza Kaçi, në fjalën e hapjes nënvizoi progresin e bërë në Kapitullin 9 “Shërbimet financiare”, nën drejtimin e Autoritetit, në kuadër të negociatave për anëtarësim në BE. Zj. Kaçi riafirmoi angazhimin e plotë institucional për modernizimin e vazhdueshëm të infrastrukturës rregullatore në tregjet financiare jobankare, mbrojtjen e interesave të investitorëve dhe forcimin e besimit të publikut në sistemin financiar.
 
Gjatë diskutimeve me grupet e interesit, u theksua rëndësia e ndërtimit të një skeme gjithëpërfshirëse, me mekanizma efiçentë dhe fleksibël, për t'iu përshtatur dinamikave të tregut financiar vendas, në funksion të krijimit të një mjedisi investimi transparent dhe të sigurt për investitorin shqiptar.