22 Maj 2008

Doli një publikim i ri "Gjeografia e Sigurimeve 2007"

"Gjeografia e sigurimeve 2007" është një publikim statistikor, i cili realizohet për herë të parë nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Në thelb të këtij publikimi përfshihet informacioni mbi shpërndarjen e primeve dhe produkteve të sigurimit sipas prefekturave, i shoqëruar me informacion mbi dendësinë e sigurimeve (pra primi i sigurimit për frymë sipas prefekturave).

Infrastruktura ekzistuese për të dhënat e vitit 2007, si dhe mungesa e një baze të mirëfilltë të dhënash, kanë qenë dhe sfidat kryesore në finalizimin e këtij produkti. Si publikim i parë në llojin e vet, pavarësisht nga përafrimi i vlerave të disa produkteve për zona të caktuara, "Gjeografia e Sigurimeve 2007" tenton të ndërtojë një bazë të dhënash të munguar, por tepër të nevojshme për tregun e sigurimeve në tërësi. AMF konfirmon qe me ngritjen e sistemit online të shitjeve për sigurimin e detyrueshëm motorrik, problemi i të dhënave të strukturuara sipas zonave gjeografike për sigurimin e detyrueshëm motorrik eliminohet për vitin 2008.

Një strukturim i tillë i informacionit bën të mundur analizimin më të mirë të tregut të sigurimeve sipas zonave gjeografike, duke i ardhur në ndihmë mbikëqyrjes në lidhje me evidentimin e përqendrimit të tregut, vete shoqerive si dhe studiuesve të pavarur. Në një këndvështrim afatmesëm sistemimi i të dhënave në këtë formë dhe përmirësimi i vazhdueshëm i raportimit nga operatorët në tregun e sigurimeve mund t'i hapë rrugën publikimeve më komplekse të strukturuara jo vetëm për qëllime informative, por edhe për analiza të mirëfillta të shpërndarjes së rrisqeve, tarifimit të produkteve dhe mbulimeve nga katastrofat sipas zonave gjeografike. Ky permiresim do të mbështetet nga një sistem elektronik raportimi dhe përpunimi të të dhënave, për të cilin AMF është duke punuar.

Publikimi ështe në dy gjuhë Shqip dhe Anglisht.

 

Për të lexuar tekstin e plotë të publikimit në versionin PDF mund të klikoni këtu

Për të lexuar tekstin e plotë të përmbledhjes "Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri sipas Prefekturave për vitin 2007" klikoni këtu