29 Mars 2012

Takim i grupit të punës pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare me Shoqatën e Siguruesve të Shqipërisë për diskutimin e projektligjit “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit”

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare organizoi sot, 29 mars 2012, një takim të zgjeruar me një nga grupet e interesit, Shoqatën e Siguruesve të Shqipërisë, për projektligjin “Për veprimtarinë e sigurimit dhe të risigurimit” në Shqipëri.

Ky projektligj, hartimi i të cilit përfundoi në dhjetor 2011 pas një pune disa vjeçare, ka synimin themelor zhvillimin e sektorit të sigurimeve duke krijuar një mjedis të sigurt, të qëndrueshëm dhe transparent në funksion të mbrojtjes së të drejtave dhe interesave të konsumatorit. Projektligji është hartuar në përputhje me Direktivat Evropiane të fushës së sigurimeve dhe gjatë hartimit të tij janë marrë parasysh aktet ligjore në fushën e sigurimeve të disa vendeve si Kroacia, Maqedonia, Austria, Sllovenia, Bullgaria, Italia, Hungaria, etj.

Projektligji realizon një përshtatje më të mirë të zhvillimeve të reja të tregut me legjislacionin evropian duke sjellë mjaft risi si në drejtim të mbrojtjes sa më efektive të konsumatorit, mbikëqyrjes me fokus riskun dhe rregullat e qeverisjes së shoqërive të sigurimit me theks të veçantë në menaxhimin e riskut.

Periudha janar – shkurt 2012 ishte koha kur AMF-ja trajtoi komentet nga grupet e interesit, shoqëritë e sigurimeve. Autoriteti  ka shqyrtuar me kujdes komentet e dërguara nga Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë rreth projektligjit  dhe janë reflektuar rreth 26 komente për nene të veçanta të ligjit që janë sjellë nga kjo shoqatë. Ndërkohë nuk janë gjykuar të përshtatshme për t’u përfshirë në ligj komentet e ardhura, të cilat nuk janë në përputhje me direktivat e Bashkimit Evropian apo që nuk lidhen me mbrojtjen e konsumatorit.

Gjatë takimit të sotëm disa nga çështjet më të diskutuara ishin mënyra e qeverisjes së shoqërisë së sigurimit me një nivel drejtimi apo me dy nivele, mënyra e vlerësimit nga AMF-ja e kërkesave për përshtatshmëri dhe aftësi të aksionarëve dhe funksionarëve kryesorë në shoqërinë e sigurimit, çështje lidhur me përmbajtjen e kontratës së sigurimit, çështja e trajtimit të provigjonit të barazimit të dëmeve si pjesë e kapitalit, llogaritja e likuiditetit me bazë ditore, mbajtja e kontabilitetit si dhe trajtimi i gjobës si titull ekzekutiv.

Autoriteti është ende në proces shqyrtimi edhe të rekomandimeve të institucioneve të tjera, dhe do t’i rishikoje dhe një herë këto çështje për të parë mundësinë e përfshirjes së tyre në projektligj.

Për më shumë informacione, kontaktoni [email protected]