30 Mars 2012

Vazhdimësi bashkëpunimi e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare me Bankën Botërore

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në vazhdimësi të punës së tij e ka vënë theksin gjithnjë e më shumë tek mbrojtja e konsumatorit.  Në përmbushje të këtij misioni themelor, AMF është asistuar nga partnerët e saj strategjikë, një ndër të cilët është dhe Banka Botërore.

Banka Botërore ka qenë një partner tepër i rëndësishëm, në drejtim të konkretizimit të një sërë nismave të rëndësishme strategjike, që nga krijimi i institucionit. Këtu mund të veçojmë asistencën në hartimin e projektligjit "Për veprimtarinë e sigurimit dhe të risigurimit" në Shqipëri, Metodologjisë së Mbikëqyrjes me Fokus Riskun, apo dhe propozimet për treguesit tekniko-financiarë që AMF përdor në analizat e tregut të sigurimeve. Këto tregues ju mund t'i gjeni në faqen zyrtare të AMF-së edhe tek rubrika e edukimit të konsumatorit, që prej vitit 2006, kur këto tregues janë propozuar nga Banka Botërore, Analize Raporti e Monitorimit ne Distance - Moduli 3 si edhe në anglisht Albania Prudential Ratio Analysis for Insurance si dhe Albania Insurance Course Module III on Off Site Monitoring Ratios.

Aktualisht Banka Botërore po asiston AMF në projektin e përbashkët mbi Liberalizimin e Sigurimit të Detyrueshëm Motorik, projekt i cili ka filluar  në shtator 2011. Në këtë kuadër misioni i planifikuar i radhës, me konsulencë nga një grup i zgjeruar ekspertësh, do të zhvillohet në datat 2-4 prill 2012, pranë AMF.

Për më shumë informacione, kontaktoni [email protected]