10 Prill 2012

AMF zhvillon takimin me drejtorët e shoqërive të sigurimit mbi problematikën e administrimit të fondit të kompensimit

Një grup pune, i drejtuar nga Kryetarja e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, znj. Enkeleda Shehi, zhvilloi ditën e hënë, datë 9 prill 2012, një takim me drejtorët e shoqërive të sigurimit të jo-jetës, lidhur me problematikën e administrimit të fondit të kompensimit dhe kryerjen e pagesave të dëmeve që i përkasin këtij fondi.

Duke paraqitur situatën e fondit të kompensimit në tre vitet e fundit dhe gjendjen e tij aktuale, Kryetarja e Autoritetit, tërhoqi vëmendjen shoqërive për plotësimin e detyrimeve ligjore, lidhur me financimin e këtij fondi dhe kryerjen e gjithë pagesave të dëmeve që mbulohen nga ky fond, sipas parashikimit të dispozitave ligjore në fuqi.

Përfaqësuesit e shoqërive të sigurimeve, ngritën disa problematika e kërkuan asistencën e Autoritetit lidhur me administrimin më të mirë të këtij fondi. Ata gjithashtu morën përsipër që të vazhdohet me kryerjen e pagesave të dëmeve.

Në përfundim të takimit u la detyrë, që shoqëritë, të cilat nuk kanë shlyer detyrimet e tyre për derdhjen e kontributit në llogaritë qëllimore të fondit të kompensimit, sipas vendimit të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare nr. 1, datë 18.01.2012 “Për krijimin e Fondit të Kompensimit për vitin 2012”, duhet ta derdhin atë brenda 10 ditëve. Gjithashtu, brenda muajit prill, duhet të mblidhet Asambleja e Përgjithshme e Anëtareve, e cila do të sjellë për miratim në Autoritet propozimin e tyre për kontributin shtesë të fondit kompensimit për vitin 2012.