12 Prill 2012

Mbi zhvillimin e trajnimit: “Sigurim i avancuar i jetës me theks në aspektet e kontabilitetit për kontratat e jetës”

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare do të zhvillojë gjatë periudhës 16-20 prill, trajnimin në sigurime me temë “Sigurim i avancuar i Jetës me theks në aspektet e kontabilitetit për Kontratat e Jetës”. Ky program trajnimi është hartuar nga Autoriteti në mbështetje të politikave për rritjen e kualifikimit profesional të punonjësve, në kushtet e zhvillimit dinamik të sigurimeve të jetës. Pjesëmarrës në këtë trajnim do të jenë specialistë të fushave të financës dhe aktuaristikës, nga AMF dhe tregu. Gjithashtu pjesëmarrës do të ketë edhe nga Banka Qendrore e Kosovës, të specializuar në çështjet e Sigurimit të Jetës.

Temat kryesore që do të trajtohen në trajnim do të jenë:

-    Sigurimi i Jetës dhe produktet e lidhura me investimet, të pranishme në treg;
-    Administrimi i policave që ndikojnë tek produktet e Sigurimit të Jetës dhe faktorët e marrjes në sigurim;
-    Risigurimi dhe dëmet e Sigurimit të Jetës, si dhe;
-    Kontabiliteti i Sigurimit të Jetës (me fokus SNRF).

Trajnimi do të realizohet nga Qendra Ndërkombëtare e Trajnimit e Maltës, http://www.mitcentre.com , një organizatë e pavarur, e dedikuar tërësisht për ofrimin e trajnimeve të burimeve njerëzore në industrinë e shërbimeve financiare. Kjo qendër është themeluar në vitin 1981 dhe  ka fituar reputacion ndërkombëtar në një shumëllojshmëri të fushave të trajnimit veçanërisht në sigurime, menaxhim risku, shërbime financiare, investime, etj.

Për më tepër informacion kontaktoni [email protected]