13 Prill 2012

Mbi zhvillimin e takimit me vlerësuesit e pavarur të dëmeve në sigurime

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare zhvilloi në datën 13 prill 2012 një takim me vlerësuesit e pavarur të dëmeve në sigurime në lidhje me çështje, që lidhen direkt me veprimtarinë e këtij profesioni relativisht të ri në tregun shqiptar të sigurimeve.

Në takim u diskutuan disa aspekte të rëndësishme, që lidhen me veprimtarinë e vlerësimit të dëmeve në sigurime, konkretisht:

-    Licencimi dhe mbikëqyrja e veprimtarisë, si vlerësues dëmesh në sigurime;
-    Masat administrative ndaj vlerësuesve të dëmeve;
-    Problematikat e konstatuara nga shqyrtimi i disa akteve të vlerësimit;
-    Legjislacioni i zbatueshëm për vlerësimin e dëmeve nga vlerësuesit.
 
Në fjalën e hapjes, Kryetarja e AMF, Znj. Enkeleda Shehi vuri theksin tek rëndësia e zbatimit të ligjit dhe praktikave profesionale që rregullojnë këtë profesion, duke nxjerrë në pah rolin e AMF dhe masave të marra në drejtim të mbrojtjes së konsumatorit. Kryetarja e AMF, Znj. Shehi parashtroi dhe mundësinë e organizimit të trajnimeve të mundshme në këtë fushë dhe la të hapur mundësinë që tregu dhe profesionistët e kësaj fushe të sjellin propozime të mëtejshme për udhëzues konkretë që tregu i arsyeton të nevojshëm në fazën aktuale të zhvillimit të këtij profesioni.

Gjatë takimit pati diskutime rreth problematikave të konstatuara nga shqyrtimi i disa akteve të ekspertimit, në rastet kur vlerësuesit e pavarur, thirren si ekspertë nga Gjykata për konstatimin ose sqarimin e ngjarjeve, të cilat kërkojnë njohuri të posaçme në fushën e vlerësimit të dëmeve. Në vijim u prezantuan dhe disa nga hapat e ndërmarra nga AMF në lidhje me konfliktin midis rregullimeve të përdorura, që trajtojnë në mënyra të ndryshme kërkesën për dëmshpërblim.

Në takim krahas profesionistëve të licencuar ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga Shoqata e Sigurimeve. Gjatë takimit u prezantuan dhe formularët e rinj të raportimit periodik të hartuar nga AMF, posaçërisht për vlerësuesit e dëmeve, me qëllim pasqyrimin më të qartë të praktikave të punës së tyre.

Gjithashtu, Autoriteti bëri me dije se, është në komunikim të vazhdueshëm edhe me gjykatat e rretheve gjyqësore, të apelit, Këshillin e Lartë të Drejtësisë e Ministrinë e Drejtësisë për të orientuar gjyqtarët për trajtimin e  çështjeve gjyqësore që lidhen me shpërblimin e dëmeve që rrjedhin nga kontratat e sigurimit të detyrueshëm sipas legjislacionit në fuqi.

Në përfundim, duke qenë se Autoriteti po punon edhe për disa ndryshime në ligjin e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit, vlerësuesit e pavarur të dëmeve u ftuan të japin sugjerimet e tyre.

Për informacion më të detajuar klikoni këtu dhe gjithashtu mund të kontaktoni [email protected]