24 Qershor 2008

Organizohet takimi mbi prezantimin e projektligjit "Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit"

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, organizoi në ambientet e Hotel Tirana International një takim me industrinë e sigurimeve, për të paraqitur projekt ligjin e ri "Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit". Në takim mori pjesë Ministri i Financave, Z. Ridvan Bode, Kryetarja e AMF-së, Zj. Elisabeta Gjoni dhe drejtues të shoqërive të sigurimit në Shqipëri.

Projektligji është hartuar me bashkëpunim të Ministrisë së Financave dhe Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Domosdoshmëria për hartimin e tij erdhi si rezultat i zhvillimeve në tregun e sigurimeve të detyrueshme në Shqipëri, krijimit të AMF-së si rregullator i pavarur dhe tendencave ndërkombëtare të rregullimit të sigurimeve të detyrueshme, përfshirë këtu direktivat Europiane.

Ky projekt sjell për herë të parë detyrimin për sigurimin e pasagjerëve në transportin publik nga ana e pronarëve të mjeteve dhe sigurimin e përgjegjësisë ligjore të pronarëve të anijeve dhe avionëve për dëmet që mund të shkaktohen nga përdorimi i këtyre mjeteve.

Projektligji parashikon funksionimin e Qendrës së Informacionit, që do të përmbajë të dhëna të plota mbi të gjitha mjetet e siguruara dhe dëmet e shkaktuara prej tyre. Qendra e informacionit mbështet përpjekjet e deritanishme për funksionimin e regjistrit të të dhënave të sigurimit të detyrueshëm motorrik dhe pasurimin e tij me të dhënat e detajuara të dëmeve. Në projekt parashikohet shkëmbimi i informacionit me autoritetet publike të transportit dhe policisë rrugore.

Përmirësimi i infrastrukturës së dëmeve nëpërmjet përfshirjes së koncepteve të reja, si rimbursimi i drejtpërdrejtë dhe dëmi moral, shoqërohet edhe me procedura dhe afate të përcaktuara në trajtimin e dëmeve sipas direktivave Europiane. Harmonizimi i arkitekturës institucionale dhe përmirësimi i zbatueshmërisë, parashikohen në mënyrë të veçantë në projekt.

Projektligji i ri pritet të sjellë uljen e numrit të të pasiguruarve në sigurimet e detyrueshme motorrike, sigurimin në masë të anijeve dhe avionëve dhe përmirësim në sjelljen e shoqërive në lidhje me pagesat e dëmeve. Të gjitha këto janë në funksion të mbrojtjes së interesave të publikut, zhvillimit të tregut të sigurimeve dhe përqasjes më direktivat Europiane, në kuadër të angazhimit të vendit me marrëveshjen e MSA-së.

Në takim u diskutua iniciativa e Bankës Botërore për hartimin e një skeme rajonale të sigurimit për mbrojtjen nga katastrofat natyrore. Kjo skemë që mendohet të përfshijë vendet e Europës Jug Lindore do të garantojë financiarisht pronarët e shtëpive dhe bizneseve në rast të dëmtimit të pronave të tyre nga katastrofat natyrore. Shqipëria është vendi i parë që ka mbështetur këtë iniciativë që pritet të realizohet në harkun e dy viteve.

Në takim u diskutuan çështje të tjera të rëndësishme që lidhen me zhvillimin e sektorit të sigurimeve në Shqipëri.

 

Për të lexuar fjalimin e mbajtur nga Ministri i Financave z. Ridvan Bode klikoni këtu.

 

Për të lexuar prezantimin e mbajtur nga Kryetarja e AMF-së zj. Elisabeta Gjoni  klikoni këtu