23 Prill 2012

Përfundon trajnimi: “Sigurim i avancuar i jetës me theks në aspektet e kontabilitetit për Kontratat e jetës”

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, gjatë periudhës 16-20 prill, zhvilloi trajnimin me temë “Sigurim i avancuar i Jetës me theks në aspektet e kontabilitetit për Kontratat e Jetës”. Gjatë trajnimit u shpjeguan koncepte teorike si edhe u dhanë situata e raste praktike për produktet e Sigurimit të Jetës. Trajnerët e  Qendrës Ndërkombëtare të Trajnimit të Maltës, Mrs. Tonia Parascandalo dhe Mr. Dadiv Demarco, me eksperiencën e tyre, realizuan një trajnim interaktiv, me diskutime për rastet dhe mundësitë e aplikimit të produkteve të Sigurimit të Jetës në Shqipëri. Duke bërë krahasim edhe me vendet e tjera të rajonit, ata nxitën nevojën e ndërgjegjësimit më të madh të publikut për Sigurimin e Jetës si edhe nevojën që shoqëritë e sigurimit në vend të ofrojnë produkte të qarta e të kuptueshme prej publikut.

Ndër çështjet kryesore që u trajtuan ishin:

-    Sigurimi i Jetës dhe produktet e lidhura me investimet, të pranishme në treg; Si nënshkruhet një policë Sigurimi Jete dhe cilat janë arsyet e marrjes së saj; Llojet kryesore të policave të Jetës;
-    Administrimi i policave që ndikojnë tek produktet e Sigurimit të Jetës dhe faktorët e marrjes në sigurim;
-    Parimet ligjore për vlefshmërinë e kontratës; Procedura e vlerësimit dhe marrjes së vendimit për të pranuar
     riskun; Nënshkrimi i policës së Sigurimit të Jetës dhe faktorët e riskut që lidhen me të; Llogaritja e primit;
-    Risigurimi dhe dëmet e Sigurimit të Jetës;

Gjithashtu, në trajnim u shtjelluan edhe koncepte teknike në Sigurimin e Jetës siç ishin Kontabiliteti i Sigurimit të Jetës (me fokus SNRF) dhe Kërkesat e Solvency II si dhe ndryshimet nga regjimi aktual.

Pjesëmarrës në takim ishin 24 specialiste nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, punonjës të shoqërive të Sigurimit të Jetës që veprojnë në tregun shqiptar si edhe nga Banka Qendrore e Kosovës, të specializuar në çështjet e Sigurimit të Jetës. Trajnimi ishte ndërtuar në vazhdimësi të politikave për rritjen e kualifikimit profesional të punonjësve të Autoritetit dhe të shoqërive të sigurimeve. Të gjithë pjesëmarrësit vlerësuan trajnimin si një drejtim i ri i zhvillimit të punës së tyre.

Për më tepër informacion kontaktoni [email protected]