25 Prill 2012

Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për periudhën janar-mars 2012

Të ardhurat nga primet e sigurimit, në periudhën janar-mars 2012, arritën rreth 1,882 milionë lekë, ose 15.74% më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndikim me të madh në uljen e tregut kanë patur sigurimi i detyrueshëm motorik Kartoni Jeshil dhe sigurimi Aksidente dhe Shëndet me peshë rreth 83% të uljes totale të tregut. Gjatë periudhës janar-mars 2012 numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 218,770, me një ulje prej 26.32% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën rreth 86.41% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 13.59%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 55.36% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 44.64% të totalit të tregut.

Sigurimi i Detyrueshëm

Primet në sigurimet e detyrueshme motorike arritën shifrën 840 milionë lekë, ose rreth 11.89% më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Produkti MTPL e brendshme, gjatë 3-mujorit të parë të vitit 2012, pati një rritje prej 8.90% për primet e shkruara bruto dhe numri i kontratave pati një rritje prej 6.74% krahasuar me janar-marsin e vitit 2011.

Produkti Sigurim Kufitar, në periudhën janar-mars 2012, pati një rritje prej 17.98% për primet e shkruara bruto dhe numri i kontratave pati një rritje prej 24.29% krahasuar me periudhën janar-mars të vitit të kaluar.

Produkti Karton Jeshil pati një ulje me rreth 49.08% për primet e shkruara bruto, krahasuar me janar-marsin e vitit 2011, ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 6.54% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo ulje e primit shkruar bruto Karton Jeshil lidhet me liberalizimin tregut të sigurimit të detyrueshëm, në gusht të vitit 2011.

Sigurimi Vullnetar

Primet e sigurimit vullnetar, në 3-mujorin e parë të vitit 2012, arritën rreth 1,042 milionë lekë, ose 18.60% më pak se në të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me një ulje të numrit të kontratave të sigurimit me 40.37% krahasuar me periudhën janar-mars, 2011.

Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës gjatë periudhës janar-mars 2012 patën ulje me rreth 22.24% kundrejt janar- marsit të vitit 2011.

Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive me të ardhura rreth 509 milionë lekë në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe rreziqet shtesë, me rreth 36.87%, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me rreth 15.01% .

Në portofolin zjarri dhe rreziqet shtesë gjatë 3-mujorit të parë të vitit 2012 ndihet një ulje prej 4.41% e numrit të kontratave të sigurimit dhe ulje me rreth 31.88% të volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli, krahasuar me janar- marsin e vitit 2011.

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve personale dhe shëndetit gjatë periudhës janar-mars 2012 arritën në rreth 147 milionë lekë, duke shënuar një ulje prej 42.38% në krahasim me janar-marsin e vitit 2011. Peshën më të madhe e mbajtën sigurimet e aksidenteve, me rreth 56.11% të të ardhurave të këtij grupi.

Primet nga Sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar-mars 2012 arritën 256 milionë lekë, ose rreth 4.90% më pak se janar-marsi i vitit të kaluar.

Dëmet e Paguara Bruto

Pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar-mars 2012 u rritën me rreth 42.85% krahasuar me janar-marsin e vitit 2011. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto u përket sigurimeve motorike me 546 milionë lekë, apo 75.53% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Dëmi mesatar për produktet e sigurimit motorik, paraqitet në tabelën e mëposhtme:

në mijë lekë

Lloji i sigurimit

janar-mars

Ndryshimi

2011

2012

(në %)

 Dëmi mesatar

 

MTPL e brendshme

                    131

             200

52.75

Karton Jeshil

                    488

             606

24.04

Kasko

                    142

             275

94.13


Për çdo të interesuar, Buletini Statistikor për periudhën janar-mars 2012, përmban pasqyra të detajuara të ndarjes së Tregut të Sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit, etj.

Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën janar - mars 2012 (në versionin EXCEL) klikoni këtu