14 Maj 2012

Takim rajonal me temë “Mbikëqyrja e pensioneve për vendet e Evropës Qendrore, Lindore, Azisë Qendrore dhe Kaukazit” me mbështetjen e IOPS-IAIS

Në datat 10-11 maj 2012 në Shkup, Maqedoni u zhvillua takimi rajonal me temë “Mbikëqyrja e pensioneve për vendet e Evropës Qendrore, Lindore, Azisë Qendrore dhe Kaukazit”. Ky aktivitet u organizua nga  Organizata Ndërkombëtare e Mbikëqyrjes së Pensioneve (IOPS) me mbështetjen e Organizatës Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve në Sigurime (IAIS). Organizimi i aktivitetit u mbështet edhe nga Agjencia e Mbikëqyrjes së Pensioneve Vullnetare të Maqedonisë (MAPAS). Takimi ishte i dyti në llojin e vet, i paraprirë nga takimi i parë rajonal i zhvilluar në Turqi, në shkurt 2010.

Në takim u trajtuan tema të rëndësishme në mbikëqyrjen e sistemit të pensioneve private vullnetare që janë fusha prioritare të IOPS-it. Çështjet kryesore të trajtuara ishin:
-    Zhvillimi dhe qasja e mekanizmave të mbikëqyrjes me bazë risku të fondeve të pensionit;
-    Zhvillimet në sistemet mbikëqyrëse të vendeve të rajonit;
-    Ndërtimi i strukturave optimale dhe të praktikave të qeverisjes së mirë për autoritetet mbikëqyrëse të pensioneve;
-    Kontrolli i kostove  në industrinë e pensioneve private;
-    Puna kërkimore në proces e IOPS-it, si dhe puna për hartimin e standardeve dhe parimeve që rregullojnë këtë fushë, etj.

Gjatë takimit u prezantuan edhe disa nga parimet kryesore të IAIS-it, që gjejnë  zbatimin e tyre në sektorin e pensioneve vullnetare e që kanë të bëjnë me qeverisjen e korporatave, investimet, menaxhimin e riskut, si dhe drejtimin e biznesit.

Me interes për të pranishmit ishin prezantimet e mbajtura në panelin mbi zhvillimet e mbikëqyrjes së pensioneve për vendet e rajonit, ku nga përfaqësuesit e AMF-së u prezantuan zhvillimet në mbikëqyrjen e pensioneve vullnetare në Shqipëri. Në prezantimin e mbajtur nga z. Rinald Guri, Drejtor i Departamentit të Kërkimit, TI dhe Statistikës  u paraqitën reformat rregullatore, sfidat dhe mbikëqyrja, si dhe zbatimi i mbikëqyrjes me bazë risku në këtë sektor në Shqipëri. Për të parë këtë prezantim kliko këtu.

Në takim ishin të pranishëm përfaqësues të vendeve si Armenia, Britania e Madhe, Çekia, Hollanda, Hungaria, Kirkistani, Kosova, Kina, Italia, Maqedonia, Moldavia, Norvegjia, Polonia, Rumania, Sllovakia, Shqipëria, Turqia, si dhe ekspertë të ndryshëm të pavarur, të angazhuar në hartimin e parimeve rregullatore dhe zbatimin e mbikëqyrjes me bazë risku në disa nga vendet e pranishme.

Takimi u ndoq me interes dhe pati diskutime të shumta.

Për më tepër informacion kontaktoni [email protected]