14 Maj 2012

Takim rajonal i Autoriteteve Mbikëqyrëse të Sigurimeve të vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, si dhe Azisë Qendrore dhe Transkaukazisë, me temë “Mbikëqyrja Makro Prudenciale e grupit”

Në datat 8-10 maj 2012 në Shkup, Maqedoni u zhvillua takimi rajonal me temë “Mbikëqyrja Makroprudenciale e grupit”  me pjesëmarrjen e Autoriteteve Mbikëqyrëse të Sigurimeve të vendeve të Evropës Qendrore, Lindore, si dhe Azisë Qendrore dhe Transkaukazisë. Takimi u  organizua nga Organizata Ndërkombëtare e Mbikëqyrësve në Sigurime (IAIS), në bashkëpunim me Institutin për Stabilitet Financiar (FSI) dhe Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve të Maqedonisë (ISA). Pjesëmarrës në këtë takim ishin edhe përfaqësues nga Autoritetet Mbikëqyrëse Financiare të Bullgarisë, Maqedonisë, Polonisë dhe Shqipërisë. Gjithashtu kishte pjesëmarrës edhe nga Bankat Qendrore të Lituanisë, Serbisë, Republikës Çeke dhe Turqisë. 

Takimi synoi të adresojë një gamë të gjerë temash mbi menaxhimin e stabilitetit financiar, përqasjen Makroprudenciale, duke përfshirë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit midis  mbikëqyrësve, si dhe  fushat prioritare të punës së IAIS-it. Ndër tematikat kryesore ishin:

-    Monitorimi i riskut dhe stabiliteti financiar;
-    Bashkëpunimi mbikëqyrës në rajon;
-    Principet e reja bazë të IAIS-it dhe stabiliteti financiar;
-    Standardet Ndërkombëtare të IAIS-it mbi  mbikëqyrjen  me bazë të gjerë të grupit të sigurimit;
-    Mbikëqyrja e grupit , krijimi i kolegjeve të mbikëqyrësve, roli i palëve të përfshira në kolegje, shkëmbimi i informacionit dhe format e kooperimit;
-    Përdorimi i ERM-së (menaxhimi i riskut të entit) dhe praktikat si mbrojtje ndaj krizave të ardhshme financiare;
-    Masat e mbikëqyrjes, ndërhyrja e hershme e mbikëqyrësve, sanksionet.

Gjithashtu, gjatë seminarit, pjesëmarrësit të organizuar në grupe pune, bënë prezantime rreth çështjeve të ndryshme të procesit mbikëqyrës dhe më specifikisht ishin dy raste studimore, i pari me fokus në identifikimin e problemeve në avancë dhe “Mbikëqyrjen me bazë Risku” dhe rasti tjetër studimor lidhur me “Mbikëqyrjen Makroprudenciale të grupit”.  Këto raste studimore identifikuan masat e ndryshme që mund të ndërmerren për parandalimin e një krize të mundshme financiare në një shoqëri sigurimi Jete ndërmjet të cilave: ndalimin e transksioneve huadhënëse në grup, ndryshimi i profilit të riskut nëpërmjet ndryshimit të strategjisë së investimeve, ndryshimi i politikës së marrjes në sigurim, shtimi i kapitalit që do të përdoret në periudhë vështirësie, etj.

Takimi u shoqërua me këmbim pikëpamjesh, idesh, praktika, ku pjesëmarrësit sollën raste konkrete të punës së Autoriteteve Mbikëqyrëse, të cilët ata përfaqësonin.