22 Maj 2012

U zhvillua Konferenca e 37-të Vjetore Ndërkombëtare e IOSCO-s

Organizata Ndërkombëtare e Komisioneve të Letrave me Vlerë (IOSCO) zhvilloi gjatë periudhës  13 - 17 maj 2012  në Pekin, Kinë, Konferencën e 37-të Vjetore.  Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare të Shqipërisë, si anëtar me të drejta të plota i kësaj organizate, u përfaqësua në këtë eveniment të rëndësishëm nga Znj. Enkeleda Shehi, Kryetare e Autoritetit, Znj. Miranda Ramaj, Anëtare e Bordit të AMF-së dhe Znj. Violanda Theodhori, Drejtore e Departamentit të Çështjeve Juridike.

Konferenca u fokusua në arkitekturën e re financiare në epokën pas krizës, infrastrukturën e tregjeve financiare dhe integrimin e këtyre tregjeve, zhvillim e tregjeve të kapitaleve në ekonomitë e vendeve në zhvillim, si dhe rregullimin e instrumentave financiare.

Konferenca arriti në përfundimin, se hapa të rëndësishëm janë ndërmarrë për të siguruar që IOSCO, si hartues i standardeve ndërkombëtare për rregullimin e tregjeve të letrave me vlerë:


• të jetë i strukturuar dhe i pozicionuar në mënyrë që të vazhdojë të ketë rolin drejtues në zhvillimin e standardeve rregullatore për tregjet kapitale;
• të ketë burimet e nevojshme për të marrë përsipër identifikimin e risqeve të zhvillimit të tregjeve të letrave me vlerë;
• të posedojë aftësinë për të përmbushur nevojat e anëtarëve të saj;
• të jetë i përgatitur për t’iu përgjigjur kërkesave të G20 dhe Bordit të Stabilitetit Financiar (FSB).

Gjatë konferencës u zhvilluan dhe mbledhjet e komiteteve te veçanta të IOSCO-s.

Bordi i ri tranzitor i IOSCO-s   

Konferenca miratoi krijimin e një bordi tranzitor për të marrë funksionet e Komitetit Teknik, Komitetit Ekzekutiv dhe Bordit Këshillimor të Komitetit të Vendeve në Zhvillim. Kjo shkrirje e tre organizmave do të ndihmojë më mirë në procesin e vendimmarrjes, si dhe për t’i dhënë mundësi organizatës të luajë një rol më të gjerë në formatimin e kuadrit rregullues për tregjet e letrave me vlerë. Në këtë kontekst, IOSCO do të vazhdojë të kontribuojë në përpjekjet e vazhdueshme në reformën globale rregullatore.

Në mbledhjen e  parë, të 32 anëtarët e bordit të tranzicionit, emëruan Z. Masamichi Kono si Kryetar të Bordit të ri të IOSCO-s. Z. Kono është Zëvendës Komisioner për marrëdhëniet ndërkombëtare pranë Agjencisë së Shërbimeve Financiare të Japonisë dhe që prej vitit 2011 ka qenë edhe Zëvendës Kryetar i Komitetit Teknik të IOSCO-s. Bordi caktoi edhe dy Zëvendës Kryetarë, Dr. Vedat Akgiray, Kryetar i Bordit të Tregjeve të Kapitaleve (CMB) të Turqisë dhe Z. Ethiopis Tafara, Drejtues i Zyrës së Marrëdhënieve Ndërkombëtare pranë Komisionit të Bursës dhe Letrave me Vlerë të SHBA-së.

Për të rritur efektshmërinë e strukturës së re qeverisëse  dhe drejtimin strategjik të organizatës, anëtarët e IOSCO-s diskutuan gjatë konferencës, nevojën për burime alternative të financimit të IOSCO-s. Financimi i ri do të shkojë në drejtim të shërbimeve të ofruara për anëtarët, duke përfshirë asistencën teknike, arsim, trajnim dhe hulumtim në çështjet globale të tregut të letrave me vlerë.

Komiteti i Vendeve në Zhvillim (EMC)

Në mbledhjen e Komitetit të Vendeve në Zhvillim u vlerësua se ekonomitë e këtyre vendeve përbëjnë disa nga ekonomitë me rritje më të shpejtë. Më tepër se 80% e vendeve anëtare të IOSCO-s janë pikërisht nga këto vende në zhvillim dhe madje edhe 10 nga këto vende bëjnë pjesë në Grupin e 20 ekonomive udhëheqëse në botë.  Mbledhja theksoi se roli i këtij komiteti mbetet shumë i rëndësishëm dhe u vlerësua si një burim për fuqizimin e vetë IOSCO-s. Mbledhja ngriti një grup pune për të përcaktuar më saktë se cili do të jetë roli i Komitetit të Vendeve në Zhvillim në arkitekturën e re të IOSCO-s.

Struktura e re e Komitetit të Vendeve në Zhvillim

Bazuar në konsultimet e mëparshme me anëtarët e saj, IOSCO vendosi shkrirjen e grupeve të punës  të Komitetit Teknik dhe të Komitetit të Vendeve në Zhvillim. Struktura e re do të përmirësojë efektivitetin e Komitetit për politikat dhe vendosjen e standardeve, duke e bërë atë më efektive dhe gjithëpërfshirëse.

Rritja e Bashkëpunimit Ndër-Kufitar

IOSCO miratoi një rezolutë e cila lejon marrjen e masave më të rrepta për të inkurajuar bashkërendimin dhe zbatimin nga anëtarët, të cilët nuk e kanë nënshkruar ende Memorandumin Shumëpalësh të Mirëkuptimit (MMoU). Ky memorandum është një mjet i përdorur nga rregullatorët për të siguruar efektivitet, ruajtjen, sigurimin dhe forcimin e tregut të letrave me vlerë kudo në botë.

Nënshkrues të rinj të Memorandumi  Shumëpalësh i Mirëkuptimit i IOSCO-s, MMoU

Konferenca Vjetore e Organizatës  Ndërkombëtare të Komisioneve të Letrave me Vlerë (IOSCO) në Pekin shënon 10 vjetorin e Memorandumit Shumëpalësh të Mirëkuptimit, si një instrument i përdorur nga rregullatorët e letrave me vlerë për të siguruar rregullimin efektiv global, ruajtjen dhe forcimin e tregjeve të letrave me vlerë në të gjithë botën.

Katër anëtarë të IOSCO-s nënshkruan Memorandumin Shumëpalësh të Mirëkuptimit gjatë Mbledhjes Vjetore të Pekinit, duke e çuar në 86 numrin e vendeve nënshkruese. Nënshkruesit e rinj janë autoritetet rregullatore dhe mbikëqyrëse financiare të Libanit, Perusë, Egjiptit dhe Mauritanisë.

IOSCO do të zhvillojë Konferencën Vjetore të 38-të në Luksemburg më 15 - 19 shtator 2013.

Për më tepër informacion kontaktoni [email protected]