28 Maj 2012

Zhvillohet takimi i tretë rajonal i mbikëqyrësve të tregjeve të sigurimeve të vendeve të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore

Autoriteti Slloven i Mbikëqyrjes së Sigurimeve në bashkëpunim me Autoritetin Hungarez të Mbikëqyrjes Financiare, zhvilluan në datat 24 - 25 maj në Lubjanë, Slloveni, takimin e tretë rajonal me Mbikëqyrësit e Sigurimeve të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore.

Kjo iniciativë, e iniciuar në prill të vitit 2011 nga Autoriteti i Tregut Financiar Austriak dhe Autoriteti Hungarez i Mbikëqyrjes Financiare, mbledh së bashku Autoritetet Mbikëqyrëse të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore, me qëllim promovimin dhe mbajtjen e marrëdhënieve të ngushta të bashkëpunimit dhe bashkëveprimit mes mbikëqyrësve të sigurimeve në rajon.

Në këtë takim, morën pjesë autoritetet homologe të vendeve si Austria, Bosnje Hercegovina, Hungaria, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Polonia, Rumania, Sllovakia dhe Sllovenia.

Tematika e trajtuar në këtë takim kishte të bënte me çështje si: ‘ndikimi i zhvillimit dhe ndryshimit të risqeve sistemike në biznesin e sigurimeve’, ‘sfidat e sigurimit të katastrofave natyrore’, ‘mbikëqyrja e degëve’ dhe ‘sfidat në mbikëqyrjen e grupeve’.

AMF, në këtë takim të nivelit të lartë, u përfaqësua nga Zv/Kryetari, Z. Mati Pepa dhe Z. Rinald Guri, Drejtor i Departamentit të Kërkim, TI dhe Statistikës.

Kjo nismë tashmë mund të konsiderohet e suksesshme, nisur nga interesimi i vazhdueshëm dhe pjesëmarrja aktive e vendeve të rajonit, duke ruajtur dhe nxitur më tej frymën e bashkëpunimit efektiv mbi çështjet dhe problematikat e përbashkëta që hasen në rregullimin e tregjeve të sigurimeve në rajon, me theks shkëmbimin e eksperiencave të vlefshme midis rregullatorëve.

Për më tepër informacion në lidhje me këtë eveniment kontaktoni [email protected]