1 Qershor 2012

Workshop rajonal mbi mbrojtjen e konsumatorëve në sigurime, praktikat më të mira dhe standardet ndërkombëtare, Tiranë 31 maj - 1 qershor

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, AMF dhe USAID nëpërmjet Programit të Zhvillimit të Sektorit Financiar në Shqipëri, FSVC dhe Programit Rajonal, PFS organizuan në Tiranë në datat 31 maj - 1 qershor workshop-in me temë “Mbrojtja e konsumatorëve në sigurime: Praktikat më të mira dhe standardet Ndërkombëtare”. Pjesëmarrës në këtë takim ishin specialistë nga Autoritetet e Azerbaxhanit, Bosnje Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë.

Workshopi u hap nga Kryetarja e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare të Shqipërisë, znj. Enkeleda Shehi, e cila theksoi rëndësinë e madhe që ka mbrojtja e konsumatorit si një ndër misionet themelore të AMF-së. Programi i këtij workshopi kishte në qendër trajtimin e parimeve bazë të hartuara nga Organizata Ndërkombëtare e Mbikëqyrësve në Sigurime (IAIS) si edhe prezantimin e praktikave më të mira të vendeve të tjera në rajon dhe ne Evropë. Trajnerë të këtij workshopi ishin Znj. Holly Bakke, Drejtore e Iniciativës Strategjike, LLC; Z. Mr. Jorg Heidmann, BaFin, Gjermani; Z. Mihael Perman, Universiteti i Ljubljanës, Sloveni dhe Z. Darko Blazevski, Agjensisë Maqedonase të Mbikëqyrjes së Sigurimeve.

Eksperienca e rregullatorit të Maqedonisë tregonte për fushatat ndërgjegjësuese tek konsumatorët dhe përdorimin e gjerë të faqes së web, ndërkohë që eksperienca Sllovene në mbrojtjen e konsumatorit e lidhte atë me përfshirjen e agjencive të tjera përveç asaj të mbikëqyrjes së sigurimeve. Përfaqësuesi i BaFin, Autoritetit Federal Financiar të Mbikëqyrjes, prezantoi në workshop guidën për mbrojtjen e konsumatorit dhe mënyrat e trajtimit të ankesave të tyre, e cila u prit me interes nga pjesëmarrësit për mundësitë e zbatimit të saj edhe në vendet e tjera.

Gjithashtu, gjatë workshopit, pjesëmarrësit u organizuan në grupe pune sipas vendeve duke bërë prezantime rreth standardeve që zbatohen aktualisht në vendet e tyre për mbrojtjen e konsumatorit duke shkëmbyer edhe eksperiencat midis tyre. Pjesëmarrësit gjithashtu në fund të workshopit ndërtuan një projekt - plan për forcimin e mbrojtjes ndaj konsumatorit në sigurime që përfshinte vendosjen e prioriteteve, fushatat e ndërgjegjësimit mediatik në mbrojtje të konsumatorit, përdorimin e medias sociale dhe faqeve të web, etj. 

Për më tepër informacion në lidhje me këtë eveniment kontaktoni [email protected]