8 Qershor 2012

Takime konsultative mbi mbrojtjen konsumatore me ekspertë të FSVC

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare zhvilloi në periudhën 4-7 qershor, në ambientet e AMF-së, diskutime konsultative rreth mbrojtjes konsumatore në sigurime me Drejtoren e Iniciativës Strategjike, LLC, Znj. Holly Bakke, dhe specialistëve të AMF-së. Znj. Bakke ka një karrierë të gjatë në fushën e mbikëqyrjes dhe sigurimeve dhe ajo ka qenë edhe Komisionere për bankat dhe Sigurimet në shtetin e New Jersey. Korpusi Vullnetar i Shërbimeve Financiare, FSVC ishte mbështetës dhe bashkë-organizues i këtyre takimeve.

Këto diskutime u konceptuan si një bashkëbisedim ndërmjet ekspertësh për të trajtuar çështje, të cilat kërkojnë vëmendjen e autoritetit rregullator, si dhe gjetjen e rrugëzgjidhjeve sa më të përshtatshme. Për specialistët e AMF-së kjo ishte mënyra më e efektshme për t’u ballafaquar me përvojat e vendeve më të zhvilluara dhe për të shtjelluar problemet që ata hasin në mënyrë specifike dhe me hollësi. Diskutimet u fokusuan edhe në çështje strategjike, të cilat ndihmojnë të përvijohet më qartë e ardhmja e autoritetit rregullator.

Gjatë takimit u trajtuan çështje të cilat kanë të bëjnë me:

- Zbatimin e masave mbikëqyrëse dhe të zbatueshmërisë së vendimeve të autoritetit rregullator;
- Rritjen e efektivitetit të procesit mbikëqyrës dhe rregullator për çështje që lidhen me sjelljen në treg të subjekteve të mbikëqyrura;
- Rritjen e fokusit të strategjisë së komunikimit në çështje që lidhen me edukimin dhe mbrojtjen e konsumatorëve;
- Rritjen e pavarësisë së autoritetit rregullator.

Gjithashtu u  diskutua edhe rreth asistencës për licencimin e ndërmjetësve në tregun e sigurimeve, si dhe kërkesat që duhet të përmbushen në procesin e licencimit dhe të rinovimit të licencës; rritjen dhe mbikëqyrjen e procesit të trajnimit të vazhdueshëm të punonjësve apo menaxherëve kryesorë pranë subjekteve të mbikëqyrura të tregut të sigurimeve, sidomos të ndërmjetësve; shtrirjen e procesit mbikëqyrës edhe te sjellja në treg e shoqërive të sigurimit me synim forcimin e mbrojtjes konsumatore. Më tej u diskutua gjithashtu edhe bashkëpunimi më i ngushtë me gjyqësorin për të rritur shkallën e të kuptuarit të procesit mbikëqyrës dhe rregullator dhe ndikimet e procesit gjyqësor në efektshmërinë e vendimeve të rregullatorit, si dhe forcimin e pavarësisë financiare të autoritetit rregullator si premisë që përmirëson procesin e mbrojtjes së konsumatorit.

Më tepër informacion në lidhje me këtë aktivitet do të gjeni në periodikun e radhës të AMF-së ose na kontaktoni në [email protected]