21 Qershor 2012

Mbi inspektimin e përbashkët të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Rrugore për policat e sigurimit të detyrueshëm të automjeteve

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit me Ministrinë e Brendshme realizoi, në datat 25-27 prill 2012, një inspektim të përbashkët me punonjësit e Policisë Rrugore të Durrësit, Elbasanit dhe Lezhës.

Qëllimi i këtij inspektimi ishte zbatimi i dispozitave të Ligjit “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, në lidhje me:
-  Evidentimin dhe verifikimin e mjeteve motorike pa polica të sigurimit të detyrueshëm motorik;
-  Evidentimin dhe verifikimin e mjeteve motorike me polica të parregullta të sigurimit të detyrueshëm motorik dhe të paraportuara në kohë reale në AMF në regjistrin elektronik online të shitjeve të sigurimit të detyrueshëm motorik.

Inspektimi u krye në pikat hyrëse e dalëse të qyteteve, pika të cilat ishin përcaktuar më parë, aty ku edhe fluksi i qarkullimit të mjeteve motorike është më i madh. Gjatë tri ditëve të inspektimit u kontrolluan 308 mjete motorike nga të cilat 33 mjete me targa të huaja.

Inspektimet konstatuan disa mangësi në lidhjen me pajisjen e mjeteve me polica sigurimi të detyrueshëm, ndonëse këto u vërejtën tek një numër i kufizuar mjetesh. Nga inspektimet rezultoi se 0.65% e mjeteve të kontrolluara nuk ishin të pajisura me policë sigurimi të detyrueshëm DMTPL. Ndërkohë kishte disa parregullsi në raportimin e të dhënave të detyrueshme sipas bazës ligjore në fuqi nga shoqëritë e sigurimit në “Regjistrin Online të Sigurimeve të Detyrueshme Motorike” të Autoritetit. Këto lidheshin me mospërputhjen e targës së shënuar në policën e sigurimit me atë mjetit për shkak të zëvendësimit të targave të vjetra me të reja, apo të lëshimit të policës për mjetin e siguruar përpara se ai të targohej.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, me qëllim mbrojtjen e konsumatorit dhe për të kontribuar në rritjen e sigurisë rrugore kombëtare, do të vazhdojë bashkëpunimin me Drejtorinë e Policisë Rrugore. Aktualisht Polica Rrugore  mund të kontrollojë në kohë reale policat e sigurimit të detyrueshëm të mjeteve motorike. Në qendrat operative të Policisë Rrugore është bërë e mundur hyrja në “Regjistrin Online të Sigurimeve të Detyrueshme Motorike” të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (www.amf.gov.al). Për realizimin me sukses të këtij projekti, Policia Rrugore u ndihmua teknikisht nga Programi i Departamentit të Drejtësisë i Ambasadës Amerikane në Tiranë (ICITAP). AMF vlerëson gatishmërinë e bashkëpunimin e deritanishëm me Policinë Rrugore dhe dëshiron të forcojë edhe në të ardhmen të tilla bashkëpunime.

AMF po punon për të mos lejuar mangësi në drejtim të pajisjes me polica sigurimi të detyrueshëm të automjeteve, si edhe do të vazhdojë të monitorojë shoqëritë e sigurimeve në drejtim të raportimit të saktë të policave shitura prej tyre në sistemin online të shitjeve. Ky monitorim i vazhdueshëm që AMF realizon, është në funksion të rolit të saj në mbrojtje të konsumatorit dhe forcimit të tregut të sigurimeve. 

Për më shumë informacione kontaktoni [email protected]