22 Qershor 2012

Mbi licencimin e shoqërisë "ANSIG" sh.a. për ushtrim veprimtarie në tregun e sigurimeve

Në mbledhjen e sotme, datë 22 qershor 2012, Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare miratoi dhënien e licencës, shoqërisë “ANSIG” sh.a., për ushtrimin e veprimtarisë në tregun e sigurimeve, për klasat e Jo-Jetës në përputhje me Ligjin nr. 9267, datë 29.07.2004.

Licencimi i shoqërisë “ANSIG” sh.a. vjen pas një shqyrtimi të kujdesshëm të dokumentacionit dhe hapave të ndërmarra nga shoqëria, në përputhje me kërkesat e dispozitave ligjore në fuqi. Licencimi i shoqërisë “ANSIG” kaloi në dy faza: në nëntor të 2011 Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare miratoi licencimin paraprak të kësaj shoqërie, e cila lidhej më përmbushjen e kërkesave të nevojshme për konturimin e biznesit të sigurimeve.

Në fazën e dytë, shoqëria përmbushi detyrimet lidhur me krijimin dhe regjistrimin e shoqërisë, përzgjedhjen e stafit drejtues, derdhjen e shumës së kapitalit fillestar dhe krijimin e infrastrukturës së nevojshme për fillimin e aktivitetit.  AMF i ka vlerësuar me kujdes të gjithë këta elementë, duke i kushtuar kujdes të veçantë edhe profesionalizmit të stafit.

Futja e një operatori të ri në tregun e sigurimeve është një sinjal tepër pozitiv. Ky sinjal duhet të interpretohet në disa drejtime. Së pari konfirmon zhvillimin e vazhdueshëm të tregut dhe faktin që tregu i sigurimeve është tërheqës për investitorë të rinj. Tregut të sigurimeve i injektohen menjëherë edhe 370 milionë lekë kapitale, që do të thotë kapacitet shtesë për nënshkrimin e risqeve në tregun vendas. Së dyti, efektet pozitive shtrihen dhe në aspektin makro për ekonominë në përgjithësi, duke realizuar hapjen e vendeve të reja të punës, pasi shoqëria e re do ketë prezencë në disa qytete kryesore të vendit. Së treti, futja e operatorit të ri do të rrisë më tepër presionin ndaj tregut për rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj konsumatorit. Konkurrenca cilësore është gjithnjë në interes të konsumatorit, por jo vetëm kaq, për AMF-në, një treg konkurrent me një numër në rritje të operatorëve, do të thotë më tepër hapësirë dhe fleksibilitet për ushtrimin e mekanizmave mbikëqyrëse dhe kjo përkthehet direkt në favor të mbrojtjes së konsumatorit.

Dinamika e zhvillimeve të tregut të sigurimeve, si segment i tregut financiar, e ka bërë këtë treg të jetë vazhdimisht në fokusin e investitorëve strategjikë.