2 Korrik 2025

Workshop në kuadër të procesit të Integrimit Evropian në fushën e Shërbimeve Financiare

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në bashkëpunim me Shoqërinë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), organizoi një workshop për Kapitullin 9 – Shërbimet Financiare, në kuadër të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. 

Në takim morën pjesë përfaqësues të Autoritetit, Bankës së Shqipërisë, Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, si anëtarë të Grupit Ndërinstitucional të Punës për Integrimin Evropian (GNPIE) të Kapitullit 9. 

Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit, znj. Mimoza Kaçi, në cilësinë e Kryenegociatores të Kapitullit 9, vlerësoi rëndësinë e takimeve të vazhdueshme me anëtarët e GNPIE, si domosdoshmëri për të avancuar me sukses në procesin e integrimit dhe përafrimin e plotë të kuadrit ligjor dhe rregullator të fushës me acquis të Bashkimit European. Znj. Kaçi theksoi nevojën për bashkëpunim të ngushtë e të qëndrueshëm ndërinstitucional dhe forcim të kapaciteteve, si dhe nënvizoi rëndësinë e vlerësimit të ndikimit të këtij procesi tek subjektet nën mbikëqyrje, konsumatorët dhe investitorët. 

Pjesëmarrësit në takim rikonfirmuan angazhim profesional dhe institucional për përmbushjen me sukses të detyrimeve të Kapitullit 9, si dhe bashkëpunim të ngushtë për një proces integrues të strukturuar, transparent dhe efektiv.