Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e AMF-së, znj. Mimoza Kaçi, pjesë e panelit ndërkombëtar në Konferencën e EIOPA-s në Frankfurt
Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, znj. Mimoza Kaçi, mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare mbi Mbikëqyrjen Globale të Sigurimeve 2025, organizuar nga Autoriteti Evropian i Sigurimeve dhe Pensioneve Profesionale (EIOPA) dhe Qendra Ndërkombëtare për Rregullimin në Sigurime (ICIR).
Në panelin me temë “Rezistenca ndaj rreziqeve në kohën e transformimit digjital”, znj. Kaçi ndau përvojën e Shqipërisë si një treg në zhvillim që përballet me sfida, por edhe me mundësi të mëdha dixhitalizimi, ku përdorimi i teknologjive të reja nxit rritjen e aksesit të publikut në produkte sigurimi. Ajo nënvizoi rëndësinë e investimeve në infrastrukturë teknologjike, forcimin e kapaciteteve, rritjen e besimit të konsumatorëve, si dhe konsolidimin e kuadrit rregullator dhe mbikëqyrës, në mbështetje të inovacionit dhe për zhvillime të qëndrueshme në tregun shqiptar të sigurimeve.
Duke iu referuar rolit rregullator, znj. Kaçi theksoi se Autoriteti po punon për harmonizimin e legjislacionit vendas me Acquis të BE-së, përfshirë kalimin drejt regjimit të Solvency II, si dhe per zhvillimin e planeve për qëndrueshmërinë operacionale në përputhje me rregulloren europiane “Digital Operational Resilience Act” (DORA).
Ky panel, me pjesëmarrje ndërkombëtare të nivelit të lartë nga institucionet rregullatore dhe nga industria e sigurimeve, u moderua nga z. Clement Cheung, Drejtor Ekzekutiv i Autoritetit të Sigurimeve të Hong Kongut.
Përfaqësimi në këtë forum prestigjioz ndërkombëtar konfirmon angazhimin dhe rolin proaktiv të Autoritetit në arenën ndërkombëtare.
Shqip
English