10 Nentor 2025
Tirana - Qendra botërore e sigurimeve gjatë javës 10 – 14 nëntor, 2025
Sot nis në Tiranë java e aktiviteteve të Organizatës Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve në Sigurime (IAIS), ngjarja më prestigjioze në këtë fushë, e organizuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në bashkëpunim me IAIS. Për herë të parë, Shqipëria mirëpret dhe bashkë-organizon këtë ngjarje të rëndësishme globale, duke u renditur në krah të qyteteve që kanë pritur edicionet e mëparshme, si Tokio në 2023 dhe Cape Town në 2024.
Në datat 10–12 nëntor do të organizohen mbledhjet teknike të komiteteve dhe takimet bilaterale, për nxitjen e një mbikëqyrjeje efektive, promovimin e parimeve dhe standardeve ndërkombëtare, si dhe mbështetjen e zhvillimit të produkteve të reja dhe praktikave më të mira në fushën e sigurimeve.
Konferenca Vjetore me temë “Navigating Uncertainty: Enhancing Societal Resilience Amidst Growing Complexity” mbahet më 13–14 nëntor, e cila mbledh së bashku rreth 530 përfaqësues nga autoritete mbikëqyrëse, kompani sigurimi dhe institucione financiare ndërkombëtare. Dita e dytë e konferencës do të përshëndetet nga Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama. Ky aktivitet synon të thellojë dialogun ndërkombëtar mbi qëndrueshmërinë e tregut të sigurimeve në një realitet global gjithnjë e më kompleks.
Drejtoresha e Përgjithshme e AMF-së, znj. Mimoza Kaçi, e cilëson këtë aktivitet si një moment historik për Shqipërinë dhe për Autoritetin, që e pozicionon vendin tonë si një partner të besueshëm në fushën e rregullimit dhe mbikëqyrjes financiare.
Për më shumë informacion mbi programin: https://www.iais.org/news-and-events/iais-annual-conference-2025/
Shqip
English