Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e AMF-së, znj. Mimoza Kaçi, pjesë e tryezës së diskutimit në “Eastern Cooperation Meeting” organizuar nga EIOPA
Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, znj. Mimoza Kaçi, mori pjesë në tryezën me temë “Eastern Cooperation Meeting - Insurance Regulation on the Path to European Integration”, organizuar nga Autoriteti Evropian i Sigurimeve dhe Pensioneve Profesionale (EIOPA), në Tiranë. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte shkëmbimi i përvojave ndërmjet autoriteteve rregullatore të vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe atyre kandidate.
Znj. Kaçi gjatë ndërhyrjes së saj në këtë takim, në cilësinë e negociatores për Kapitullin 9 “Shërbimet Financiare”, u ndal në ecurinë e tregut të sigurimeve në Shqipëri, si një treg në zhvillim, identifikoi ngjashmëritë dhe sfidat e përbashkëta që hasin në këtë rrugëtim vendet kandidate, duke vlerësuar mekanizmat që mundësohen nga EIOPA në lehtësimin e këtyre proceseve integruese.
Pjesëmarrësit diskutuan mbi iniciativat e përbashkëta rajonale, nevojën për forcimin e kapaciteteve mbikëqyrëse me qëllim ndërmarrjen e reformave për përafrimin me acquis të BE-së. Forcimi i stabilitetit financiar, mbrojtja e konsumatorëve dhe nxitja zhvillimit të qëndrueshëm të tregut të sigurimeve mbeten prioritete të rëndësishme drejt integrimit europian.
Pjesë e këtij takimi ishtin përfaqësues të lartë të institucioneve europiane dhe ndërkombëtare: znj. Petra Hielkema, Kryetare e EIOPA-s, z. Vygandas Jankunas nga DG FISMA pranë Komisionit Europian, znj. Danita Pattemore, eksperte e Bankës Botërore dhe Peter Braumuller drejtues pranë Autoritetit Austriak të Mbikëqyrjes së Tregut Financiar.
Përfaqësimi në këtë takim konfirmon angazhimin dhe rolin proaktiv të Autoritetit në kuadër të bashkëpunimit rajonal dhe europian.
Shqip
English