14 Nentor 2025

Përmbyllet me sukses Konferenca Vjetore e IAIS 2025 në Tiranë

Përfundoi sot me sukses Konferenca Vjetore e Organizatës Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve të Sigurimeve (IAIS), e organizuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në bashkëpunim me IAIS. Aktiviteti, ndër më të rëndësishmit në shkallë globale për sektorin e sigurimeve, mblodhi mbi 500 përfaqësues nga më shumë se 130 juridiksione, përfshirë autoritete mbikëqyrëse, organizata financiare ndërkombëtare dhe kompani sigurimi nga mbarë bota.
 
Në ditën e dytë, në fjalën e saj përshëndetëse Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit, znj. Mimoza Kaçi, theksoi se organizimi i këtij forumi global në Tiranë përfaqëson një dëshmi të transformimit institucional të AMF-së, forcimit të mbikëqyrjes dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm me IAIS përgjatë dekadës së fundit. Ajo nënvizoi gjithashtu rëndësinë e Konferencës si një hapësirë e çmuar dialogu mbi rreziqet, qëndrueshmërinë dhe konsolidimin e mbikëqyrjes në tregjet e sigurimeve.
 
Konferenca u përshëndet nga Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, i cili vlerësoi ndikimin e sektorit të sigurimeve në zhvillimin ekonomik, rritjen e qëndrueshmërisë dhe ruajtjen e stabilitetit financiar. Sekretari i Përgjithshëm i IAIS, z. Jonathan Dixon, theksoi se kjo është hera e parë që ky aktivitet i rëndësishëm zhvillohet në rajonin e Ballkanit, duke falënderuar Shqipërinë dhe Autoritetin për organizimin dhe mikpritjen.
 
Diskutimet e Konferencës sollën së bashku rregullatorë, mbikëqyrës, politikëbërës dhe drejtues të industrisë të cilët theksua rolin e lidërshipit rregullator në krijimin e urave mes sektorit të sigurimeve/risigurimeve, qeverive dhe publikut. Gjatë paneleve dhe tryezave të rrumbullakta, pjesëmarrësit trajtuan rëndësinë e zgjidhjeve të përballueshme, të aksesueshme dhe të përshkallëzueshme të sigurimit, që synojnë forcimin e qëndrueshmërisë financiare.
 
Ky aktivitet shënoi një moment domethënës për zhvillimin institucional të Autoritetit dhe forcimin e partneriteteve me organizatat ndërkombëtare në fushën e sigurimeve.