2 Dhjetor 2025
Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e AMF-së, znj. Mimoza Kaçi, pjesë e panelit rajonal në Forumin Ekonomik të Brezovicës
Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, znj. Mimoza Kaçi, mori pjesë në Forumin Ekonomik të Brezovicës 2025, organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës në bashkëpunim me Dhomat e Tregtisë të Ballkanit Perëndimor. Ky aktivitet, i cili shërbeu si një platformë rajonale dialogu, mblodhi përfaqësues të komunitetit të biznesit, drejtues të institucioneve financiare, dhe rregullatorë nga vendet e Ballkanit Perëndimor për të diskutuar mbi mundësitë për investime dhe zhvillim ekonomik.
Kjo konferencë e parë e këtij formati, u përshëndet nga përfaqësuesi i Komisionit Europian, i cili theksoi mbështetjen e KE për nxitjen e investimeve, forcimin e kapaciteteve dhe avancimin e integrimit europian të rajonit.
Në panelin “Qasja në financa dhe mundësitë për investime”, të moderuar nga Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, z. Ahmet Ismaili, krahas Drejtores së Përgjithshme të Autoritetit, znj. Mimoza Kaçi, morën pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve financiare dhe bankave qendrore të rajonit, përfshirë Bankën e Shqipërisë dhe Bankën Qendrore të Maqedonisë së Veriut.
Znj. Kaçi paraqiti zhvillimet e tregjeve financiare jobankare në Shqipëri, përfshirë sfidat dhe nismat e AMF-së për lehtësimin e aksesit në financë, zgjerimin e gamës së instrumenteve financiare, si dhe orientimin e bizneseve drejt tregut të kapitaleve si mundësi alternative financimi. Ajo vuri në dukje gjithashtu rëndësinë e edukimit financiar, veçanërisht për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme si dhe atë të digjitalizimit si prioritete dhe mekanizma kyçe për rritjen e aksesit në financa. Në përmbyllje, znj. Kaçi theksoi se bashkëpunimi rajonal është thelbësor për zhvillimin dhe intergrimin e tregjeve të Ballkanit Perëndimor.
Përfaqësimi në Forumin Ekonomik të mbajtur në Brezovicë, dëshmon angazhimin e AMF-së për të thelluar dhe forcuar bashkëpunimin rajonal, si pjesë e përpjekjeve institucionale për zgjerimin dhe modernizimin e tregjeve financiare jo bankare si dhe rritjen e stabilitetit dhe qëndrueshmërisë së tyre.
Shqip
English