Znj. Adela Xhemali merr mandatin si anëtare e Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, që do të mbajë funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv
Kuvendi i Shqipërisë, me vendimin nr. 102/2025, datë 4 dhjetor 2025, miratoi emërimin e Znj. Adela Xhemali në detyrën e anëtares së Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), e cila do të ushtrojë funksionin e Drejtoreshës së Përgjithshme Ekzekutive.
Në ambientet e AMF-së u zhvillua ceremonia zyrtare e prezantimit të saj, ku morën pjesë Kryetarja e Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, Znj.Milva Ekonomi, anëtarët e Bordit Drejtues, drejtues të institucionit, si dhe Drejtoresha në përfundim të mandatit, Znj.Mimoza Kaçi.
Në fjalën e saj, Znj. Ekonomi theksoi rëndësinë e drejtimit të suksesshëm të Autoritetit, veçanërisht në kushtet e sfidave që shoqërojnë procesin e integrimit evropian. Ajo nënvizoi rolin thelbësor të mbikëqyrjes së tregut financiar jobankar në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe domosdoshmërinë për forcimin e standardeve të transparencës dhe besueshmërisë institucionale.
Ish-drejtoresha Znj. Mimoza Kaçi vlerësoi progresin e vazhdueshëm të Autoritetit në vite dhe sfidat që mbeten për t’u adresuar në vijim.
Drejtoresha e sapoemëruar, Znj.Adela Xhemali, në fjalën e saj, shprehu falënderimet për Kuvendin e Shqipërisë për besimin e dhënë, dhe nënvizoi se integriteti dhe përgjegjshmëria do të jenë busulla e punës së Autoritetit.
“Prioritetet e së ardhmes do të fokusohen në avancimin e procesit të integrimit evropian, zhvillimin teknologjik dhe inovacionin, forcimin e transparencës dhe standardeve të mbikqyrjes dhe të mbrojtjes së konsumatorit. Kombinimi i përvojës së konsoliduar me energjinë dhe dinamizmin e brezit të ri do të forcojë më tej kapacitetet dhe rolin e institucionit", u shpreh Znj.Xhemali.
Institucioni i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare do të vijojë të garantojë stabilitet financiar, transparencë dhe rritje të besimit në tregjet financiare jobankare, në funksion të mbrojtjes së konsumatorëve dhe investitorëve.
Shqip
English