20 Korrik 2012

AMF vazhdon inspektimin e planifikuar pranë Byrosë Shqiptare të Sigurimit

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, me qëllim realizimin e një prej objektivave të tij themelore, mbrojtjen e vazhdueshme të konsumatorëve, po kryen një inspektim të plotë pranë Byrosë Shqiptare të Sigurimit (BSHS).  Ky inspektim, i cili ka filluar që prej datës 15 maj 2012, është ende në proces dhe synimi i zgjatjes së afateve të tij nga Autoriteti ka qenë realizimi i plotë i programit të inspektimit. 

Periudha e inspektimit shtrihet që prej hyrjes në fuqi të Ligjit nr. 10076, datë 12.02.2009 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit” duke përfshirë edhe praktikat e dëmeve që janë në proces trajtimi nga Byroja.

Inspektimi është fokusuar në mbikëqyrjen e veprimtarisë së  BSHS-së, në funksion të zbatimit të detyrimeve ligjore që lidhen me trajtimin e dëmeve, objekt i Fondit të Kompensimit, si dhe procedurat për ndjekjen dhe arkëtimet nga Paditë e Regresit. Gjithashtu, qëllimi i këtij inspektimi është edhe zbatimi i detyrimeve ligjore që lidhen me: administrimin e Fondit të Garancisë së Kartonit Jeshil; përdorimin e tij në rast të mosshlyerjes së detyrimeve të anëtarëve të BSHS-së (shoqërive të sigurimit); rastet e mospërmbushjes së detyrimeve financiare nga këta anëtarë ndaj Byrove/Shoqërive të huaja të raportuara nga Këshilli i Byrove; trajtimin e dëmeve ku shkaktarë janë mjetet me targa të huaja dhe zbatimin e Rregullores së Brendshme të Këshillit të Byrove për trajtimin e këtyre rasteve. 

Autoriteti e ka pasur gjithnjë në vëmendje aktivitetin e Byrosë dhe në prill të këtij viti Kryetarja e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Znj. Enkeleda Shehi, zhvilloi një takim me drejtorët e shoqërive të sigurimit, anëtarë të Byrosë, për problematikat e punës.

Aktualisht këto shoqëri kanë derdhur të gjithë kontributin e tyre në llogarinë qëllimore të Fondit të Kompensimit të planifikuar për vitin 2012 dhe pritet të sjellin propozimin për shtesë të këtij fondi për vitin në vazhdim.

Autoriteti do të vazhdojë të ndjekë me vëmendje punën e Byrosë dhe plotësimin e detyrimit të shoqërive në lidhje me Fondin e Kompensimit me synimin e tij themelor, mbrojtjen e interesave të konsumatorëve.

Për më shumë informacion kontaktoni në [email protected]