26 Qershor 2008

Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri në periudhën Janar - Maj 2008

Zhvillimet  e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri në periudhën Janar - Maj 2008

Në periudhën Janar - Maj  2008 numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 228,061 duke shënuar një rritje prej rreth 14.96 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Rritja e numrit të kontratave në 2008 u shoqërua me rritjen e vëllimit të të ardhurave nga primet. Primet e shkruara bruto të sigurimeve arritën në rreth 2,627 milionë  lekë, shifër kjo 15.39 % më e lartë se ajo e të njëjtës periudhë të vitit 2007. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, që sollën rreth 93% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 7%. 

Sigurimi i Detyrueshëm

Gjatë kësaj periudhe të vitit 2008 sigurimi i detyrueshëm vazhdoi të dominojë në tregun Shqiptar, duke sjellë rreth 62 % të të ardhurave nga primet e shkruara bruto të sigurimeve.

  • Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit të TPL-së së brendshme në këtë periudhë të vitit 2008 ishin rreth 1,157 milionë lekë. Rritja e të ardhurave me 6.15 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007 lidhet me rritjen me rreth 9.55 % të numrit të kontratave.
  • Në periudhën Janar - Maj  2008, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të Kartonit Jeshil arritën rreth 398 milionë lekë, ose 12.19 % më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2007 ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 17.52 % krahasuar me të njëjtën periudhë.
  • Sigurimi kufitar shënoi ulje në grupin e sigurimeve të detyrueshme me rreth 38.35 % në krahasim me Janar - Maj 2007. Në të njëjtën kohë, ulje shënoi dhe  numri i kontratave të sigurimit kufitar në masën 6.61 %. Gjatë kësaj periudhe, primet e shkruara bruto nga sigurimi kufitar arritën në rreth 62 milionë lekë.

Sigurimi Vullnetar

Në Janar - Maj 2008,  vëllimi i primeve të shkruara bruto në sigurimin vullnetar arriti shifrën 1,010 milionë lekë me një rritje prej 38.11% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë dhe rreth 25.43 % rritje të numrit të kontratave të sigurimit.

Të ardhurat nga produktet vullnetare të sigurimit të Jo-Jetës u rritën me rreth 36.36 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007.

Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive me të ardhura rreth 507 milionë lekë në total, vendin e parë e zunë sigurimet nga zjarri dhe dëmtime në pronë me rreth 53 %, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 24 % dhe sigurimi i garancisë me 13 %.

Në portofolin "Zjarri dhe rreziqet shtesë " ndihet një rritje prej 43 % e numrit të kontratave të sigurimit dhe rritje me rreth 12 % të volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli, që shpjegohet dhe me  marjen në sigurim të përgjegjësive me vlera të vogla.

Në nivele në rritje për këtë periudhë ishin Sigurimet e përgjegjësisë, duke zënë 24 % të sigurimeve të pronës, përgjegjësive dhe garancive, me një rritje prej rreth 130 % krahasuar me 5- mujorin e parë të vitit 2007, duke shprehur dhe ritmet e zhvillimit të këtij portofoli në stadin aktual të zhvillimit të vendit. Sigurimet inxhinierike të analizuara veçmas, si portofol në sigurimet e përgjegjësive, në këtë periudhë patën një trefishim në volumin e primeve të shkruara dhe 42% rritje e numrit të kontratave krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar .

Të ardhurat nga Sigurimet e aksidenteve personale dhe shëndetit në 5 mujorin e parë të vitit 2008 arritën në rreth 95 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 20.88 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Peshën më të madhe e mbajtën sigurimet e shëndetit në udhëtim me rreth 79.09 % të të ardhurave të këtij grupi. Rritja e madhe e të ardhurave në sigurimin e shëndetit në udhëtim lidhet më numrin në rritje të vazhdueshme të personave që udhëtojnë jashtë vendit.

Vëllimi i primeve të sigurimit të Jetës ishte rreth 220 milionë lekë me një rritje prej 44.81% krahasuar me Janar- Maj 2007.

Peshën më të madhe prej rreth 66.23 % në te ardhurat e sigurimit të Jetës e zë produkti "Jetë Debitori". Ky produkt i sigurimit është kërkesë e Bankave të nivelit të dytë për ofrimin e kredive individëve dhe personave juridikë.

Dëmet e paguara bruto

Totali i dëmeve të paguara bruto nga shoqëritë e sigurimeve në pesëmujorin e parë te vitit  2008 ishte rreth 518 milionë lekë, ose 20.59 % më pak se në Janar - Maj të vitit 2007. Kjo ulje në dëmet e paguara bruto ndihet në portofolin "Kartoni Jeshil" ku kemi një ulje të dëmeve të paguara bruto  nga shoqëritë e sigurimit me rreth 58.12 % dhe ulje të numrit të dëmeve të paguara me rreth 37.19 % krahasuar me 5- mujorin e parë të vitit 2007.

Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto u përket sigurimeve motorrike me 425 milionë lekë, apo 81.96 % të totalit të dëmeve të paguara bruto..

Duke i hedhur një vështrim dëmit mesatar në produktet e sigurimit motorrik, meqënëse ky lloj sigurimi ka dhe peshën më të madhe në pagesën e dëmeve, të bie në sy një rritje e vlerës së dëmit mesatar për MTPL e brendshme dhe Kasko dhe e ndjeshme paraqitet ulja e dëmit mesatar Karton Jeshil, paraqitur në tabelën e mëposhtme:

në mijë lekë

Lloji i sigurimit

Viti

2007

2008

Dëmi mesatar

MTPL e brendshme

81

91

Karton Jeshil

817

545

Kasko

85

91

 

Për çdo të interesuar, raporti Mujor Statistikor Janar - Maj 2008 përmban një pasqyrë të detajuar të ndarjes së Tregut të Sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit, etj.



Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën janar - maj 2008 (në versionin PDF) klikoni këtu

Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën janar - maj 2008 (në versionin EXCEL) klikoni këtu